Nga sot, Maqedonia e Veriut ka një lidhje të re ajrore direkte me Parisin, përmes linjës së re të EasyJet, që operon nga Aeroporti Orly drejt kryeqytetit të vendit, shkruan POPULLI.mk
Ky zhvillim u bë i mundur pas mbështetjes financiare nga Qeveria dhe është pjesë e Programit për Zgjerimin e Destinacioneve të Reja të Ministrisë së Transportit.
Zv.Ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, theksoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e lidhjeve ajrore dhe zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut. “Hapja e kësaj linje direkte është një mundësi e shkëlqyer për qytetarët, turistët dhe bizneset e dy vendeve. Ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen më të madhe të Maqedonisë së Veriut në rrjetin ajror evropian,” tha Zekolli Shaqiri.
Linja ajrore do të operojë dy herë në javë, duke ofruar udhëtarëve mundësi të reja për të udhëtuar midis Shkupit dhe Parisit, duke lehtësuar komunikimin dhe duke kontribuar në rritjen e turizmit dhe biznesit. Ky investim synon të tërheqë edhe më shumë kompani ajrore dhe të fuqizojë pozicionin e vendit në tregun ndërkombëtar të transportit ajror.
Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut vazhdon të avancojë në përpjekjet për të ofruar mundësi të reja për qytetarët dhe për të zhvilluar sektorin e aviacionit, duke rritur potencialin ekonomik të vendit. / © POPULLI.mk




