36.8 C
Skopje
E diel, 23 Qershor, 2024

DASH ka ngelur e zhgënjyer pasi nuk ka përparim në Dialogun Kosovë – Serbi

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjim që nuk u arrit ndonjë përparim në rundin e ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen së Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

“Siç e kemi thënë vazhdimisht, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.

Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç e pranoi./Rel

 

Top Channel

Të ngjajshme

Të fundit