6.8 C
Skopje
E martë, 15 Tetor, 2024

DASH: Radoiçiq është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës!

Një takim i kryeterroristit të Banjskës, Milan Radoiçiq, me ambasadorin e Serbisë në Amerikë, Marko Gjuriq, vazhdon të jetë ndër temat më të diskutuara.

Së fundmi, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Këta të fundit në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se Radoiçiq është kriminel, dhe që duhet të mbahet përgjegjës.

“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.

Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.

Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori.

Arsyetimi nga Gjuriq e Vuçiq

Në fakt, Serbia nuk është distancuar nga ky takim i personit që mund të jetë kryeministër i ardhshëm, me një terrorist. Madje, edhe kanë tentuar ta arsyetojnë.

“Nuk e pyeta kur, ku dhe pse. Nuk e pyeta asgjë nëse është ngritur nga tavolina për të parë Milan Radoiçiqin, për t’u ulur një ose dy minuta apo ka ardhur me të”, tha Vuçiq.

Presidenti serb pati një përgjigje edhe për kritikat nga Sanduloviq, duke e zënë në gojë emrin e Adem Jasharit.

“Tani po sulmojnë Marko Gjuriqin, po i shikoj të gjithë denoncuesit dhe hajdutët e tjerë se si do t’i raportojnë dikujt diku”. Dhe lavdëroni ata që shkojnë te varri i Adem Jasharit, i cili vrau ushtarë dhe policë serbë. Dhe pastaj shkruani se si BIA paralizoi një kriminel (Nikola Sanduloviq). “Gjithçka është kthyer përmbys në këtë vend”, u shpreh Vuçiq, raporton Nova.

Fotografia e takimit të tij me të kërkuarin nga INTERPOL-i, bëri që edhe vet Marko Gjuriq të dale me një reagim. Megjithatë, as ai nuk është se pati doza pendese.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse është goxha e varfër. Nuk kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit dhe Sveçlës apo boteve të tyre dhe njerëzve të tjerë keqdashës për asgjë”, shkruan Gjuriq.

I njëjti pohon se nuk ndihet i turpëruar që ka takuar terroristin Radoiçiq.

“Nuk i kam fshehur dhe as nuk kam turp asnjëherë nga kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe me të cilët dëshiroj të takohem edhe sot, jam takuar shumë herë, gjithashtu në kuadër të punës sime, me udhëheqës të shumtë shqiptarë”, vijon ai.

Reagim i ashpër nga Hovenier

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar ashpër lidhur me këtë takim. Ai dje deklaroi për Express se Radoiçiq duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij në Banjskë.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional. Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës.”

“Ne kemi një pikëpamje të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”- thuhet në përgjigjen e ambasadorit Hovenier.

Të ngjajshme

Të fundit