Volodymyr Zelenskyy beson se mund të shpëtoj marrëdhënien e tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump pas takimit të tyre në Zyrën Ovale. Zelenskyy në një deklaratë nga Londra përsëriti se Ukraina nuk do t’i lëshojë asnjë territor Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Ai tha se ishte ende i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje për mineralet me SHBA-në dhe bëri të ditur edhe diskutimet me liderët evropianë për të dërguar një projekt-plan paqeje në SHBA si një zhvillim kyç.
“Ne nuk po bëjmë asnjë hap prapa. Kjo është politika jonë, të jemi të qëndrueshëm, pavarësisht se çfarë ka ndodhur më parë, ne jemi konstruktiv. Nëse kemi rënë dakord që ajo (marrëveshja e mineraleve me SHBA) do të nënshkruhet, nga ana jonë ne jemi gati ta nënshkruajmë. Sinqerisht mendoj se edhe Shtetet e Bashkuara do të jenë gati. Ndoshta atyre u duhet kohë për të analizuar disa gjëra”, tha Zelensky.
Zelensky tha se ai nuk mendonte se SHBA do të ndalonte ndihmën e saj për Ukrainën, sepse si “udhëheqës të botës së qytetëruar” ata nuk do të donin të ndihmonin presidentin rus Vladimir Putin. Por ai tha se mbetet i përgatitur për çdo rezultat.
“Bisedat e hapura mes partnerëve janë të rëndësishme. Kjo është konstruktive, të njohim pozicionet e njëri-tjetrit. Biseda të tilla të hapura duhet të ndodhin, por nuk mendoj se është e drejtë kur biseda të tilla janë plotësisht të hapura, sepse emocionet dhe informacionet patjetër do të përdoren nga armiqtë”, u shpreh Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.
Një Zelensky dukshëm i tronditur mbërriti në Londër të shtunën, ku u prit me një përqafim të ngrohtë nga kryeministri britanik Keir Starmer dhe nga mbështetësit brohoritës rreth Doëning Street.
Në samitin e së dielës, Starmer tha se liderët evropianë kishin rënë dakord të hartonin një plan paqeje në Ukrainë për ta çuar në SHBA, me shpresën se Uashingtoni do të ofronte garancitë e sigurisë që Kievi thotë se janë jetike për të penguar Rusinë.