5.8 C
Skopje
E diel, 29 Mars, 2026

Deklarata e Kurtit për gjuhën shqipe në RMV nxiti debat

A po rrezikohet gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut?

Kjo ishte pyetja që iu shtrua Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në prani të homologut maqedonas, Hristjan Mickoski, në një çështje që është shndërruar në shqetësim se po synohet zbehja e përdorimit të shqipes në Maqedoni të Veriut.

“Së pari, kjo është një çështje për Gjykatën Kushtetuese të MV, pasi tre dispozita të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë dërguar në Komision të Venecias, dhe këto tri dispozita – paradoksalisht – nuk janë vërë në jetë, nuk janë zbatuar në të kaluarën. Dhe tash, i përket Gjykatës Kushtetuese në MV që ta vlerësojë. Por, duhet ta sqarojmë një gjë. Nuk ka në Maqedoni të Veriut ligj për gjuhën shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën”, tha Kurti.

Kurti dha leximin e vet kushtetues për Maqedoninë e Veriut, se “nuk ka ligj për shqipen, dhe s’ka pasur në të kaluarën” por shtoi se “aty ka ligj që përmend shifrën 20%, por jo ligj për përdorimin e shqipes, por gjuhëve”.

“Ekziston ligji që përmend shifrën 20%, por ai nuk është ligj për shqipen, por përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër, besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe as diskriminim dhe i cili e respekton shumëgjuhësinë atje”.

“Por, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë gjuhë zyrtare e tash po u rrezikohen….Ka organe atje të cilët i marrin vendimet e tyre”, tha ai.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti ka nxitur reagime në të dy anët.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka reaguar  duke thënë se “gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare dhe me tërë qenien tonë do ta mbrojmë këtë”.

Ai tha se gjuha shqipe nuk preket, është e larë me gjak dhe është e arritur me shumë mund, duke bërë thirrje që politikanëve e përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë t’u dërgohet ligji për gjuhën.

“Gjuha shqipe nuk preket, është e larë me gjak, është e arritur me shumë mund dhe ftoj të gjithë që tua dërgojnë ligjin për gjuhën deputetëve, ministrave, kryetarëve të komunave, kryetarëve të partive në Kosovë sepse ata janë dezinformuar nga vasalët shqiptarë në qeverinë pa legjitimitet etnik. Populli është në këmbë, populli është në front, populli është në ballë të rezistencës dhe mbrojtjes së barazisë por edhe të ardhmes europiane, sepse kjo tashmë nuk është çështje partish ose pushteti, por bëhet fjalë për lëvizje gjithëkombëtare në mbrojtje të identitetit dhe dinjitetit kombëtar”, ka shkuar  Ahmeti.

 

Burimi / Reporteri.net

Të ngjajshme

Të fundit