Mjekët palestinezë kanë thënë se ushtria izraelite ka vrarë dhjetëra njerëz në sulmet e reja në Gaza, si dhe ka rrethuar dy spitale me arsyetimin se brenda tyre fshihen militantët e Hamasit, raportoi të hënën Reuters.
Sipas këtyre punëtorëve shëndetësorë, së paku 30 persona janë vrarë në 24 orët e fundit në Rafah, ku po qëndrojnë mbi një milion palestinezë të zhvendosur për shkak të luftimeve.
“24 orët e fundit ishin një nga ditët më të këqija që kur u transferuam në Rafah. Ne këtu jetojmë me frikë, jemi të uritur, jemi të pastrehë dhe e ardhmja jonë nuk dihet. Pa një armëpushim në horizont, mund të përfundojmë të vdekur ose të zhvendosur diku tjetër, ndoshta në veri dhe ndoshta në jug (në Egjipt)”, ka thënë për Reuters, Abu Khaled – baba i shtatë fëmijëve, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij të plotë nga frika e hakmarrjes.
Dhjetëra palestinezë morën pjesë në funerale gjatë së hënës, pasi një sulm ajror izraelit vrau 18 palestinezë në një shtëpi në Deir Al-Balah në Gazën qendrore, kanë thënë mjekët dhe dëshmitarët palestinezë.
Izraeli thotë se spitalet në Gaza përdoren nga grupi militant palestinez Hamas si baza, gjë të cilën e mohojnë Hamasi dhe stafi mjekësor.
Burimi © KOHA.
