19.2 C
Skopje
E hënë, 15 Qershor, 2026

Diaspora i jep frymë Kurtit, LVV arrin pragun për formimin e institucioneve

Lëvizjes Vetëvendosje i është shtuar edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës derisa po vazhdon numërimi i votave të mërgatës nga votimi me postë.

Kur janë numëruar rreth 44% e këtyre votave, Vetëvendosje prin me 69% e kësisoj, me bashkëpunim me minoritetet jo-serbe dhe Nenad Rashiqin, Albin Kurti arrin në kufirin kushtetues prej 61 votash që kërkohet për formimin e institucioneve.

Shtimi i një ulëseje në parlament për partinë e parë, nënkupton një tkurrje tjetër për Partinë Demokratike të Kosovës, që aktualisht mbetet me 22 mandate.

Pas PDK-së, renditet Lidhja Demokratike e Kosovës që do ketë 19 ulëse në kuvend e Aleanca shtatë.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve procesi ka hyrë në ditën e tetë.

Në total me postë nga diaspora votuan 82,809 shtetas. Pas numërimit të këtyre votave, do të numërohen edhe 8751 vota me kusht dhe mbi 3 mijë nga personat me nevoja të veçanta.

Në ndërkohë, pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve, për të siguruar që nuk ka pasur manipulim të votave siç ndodhi në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Qendrat Komunale të Numërimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të shpallë rezultatet përfundimtare në fund të muajit qershor, e t’i certifikojë ato më së largu më 6 korrik.