Vendimet politike shpesh flasin më shumë se fjalimet. Rasti i ndarjes së njëzetë bursave “Boris Trajkovski” pa asnjë student shqiptar në listë, është një prej atyre momenteve kur simbolika e politikës bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me realitetin që prodhon. Kjo situatë krijon një dëshpërim masiv tek gjeneratat e reja për të cilat vazhdimisht flitet por aspak nuk veprohet. Tu thuash të gjithve se studentët janë e ardhmja e vendit e pastaj t’i sulmosh e godasësh pikërisht studentët është naivitet i qëllimshëm, shkruan Zhurnal.
Presidentja ndau 20 bursa për studime jashtë vendit, asnjë shqiptar –
Presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova, në paraqitjen e saj solemne, theksoi se të rinjtë largohen nga vendi sepse nuk u jepet mundësi për avancim të drejtë, se sistemi shpërblen lidhjet e privilegjet në vend të meritës, dhe se humbjen më të madhe e pëson shteti. Ironikisht, pikërisht kjo ngjarje një program që synon të promovojë meritokracinë dëshmon mungesën e një trajtimi të barabartë për të gjithë qytetarët.
Asnjë student shqiptar në mesin e fituesve të bursave të mbështetura nga presidentja është një fakt që ngre shumë pyetje, por mbi të gjitha si është e mundur që në një shtet multietnik të rinjtë e një komuniteti të tërë të mos përfaqësohen aspak në një skemë prestigjioze shtetërore?
Kur institucionet publike shpërfillin një komunitet të tërë, mesazhi që dërgohet është i qartë barazia në mundësi mbetet ende një premtim i papërmbushur.
Fjalë boshe e realitet i mbushur me diskriminim –
Ndërsa presidentja u bëri thirrje të rinjve që të mos largohen dhe të mos humbasin besimin në vend, lista e publikuar është shembulli më i mirë i asaj që nxit emigrimin dhe zhgënjimin një sistem që nuk arrin t’i trajtojë të gjithë qytetarët si të barabartë.
Edhe ministrja e arsimit, Vesna Janevska, u bëri apel bursistëve të mos harrojnë nga vijnë dhe kë të përfaqësojnë. Por çfarë duhet të mendojnë të rinjtë e një komuniteti që nuk shihet fare në këto politika? Ku është vendi i tyre në shtetin që supozohet t’i përfaqësojë të gjithë?
Bursa në vlerë rreth 15 mijë euro, e ndarë mes shtetit dhe kolegjit “City College” në Selanik, synon të investojë tek të rinjtë më të dalluar. Por kur përzgjedhja reflekton një përjashtim të qartë etnik, ajo humb vlerën e vet themelore meritokracinë.
Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë mbi një të katërtën e popullsisë, mungesa totale e përfaqësimit në një listë prej vetëm njëzet emrash është statistikisht e dyshimtë dhe politikisht shqetësuese.
Ky nuk është thjesht diskriminim në arsim është një sinjal i rrezikshëm për gjithë shoqërinë. U tregon të rinjve shqiptarë se pavarësisht përpjekjeve, aftësive dhe rezultateve, ata vazhdojnë të jenë jashtë radarit të institucioneve kryesore të shtetit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse të rinjtë largohen: jo për mungesë potenciali, por për mungesë shanseje.
Nëse bursa është për të rinjtë më të mirë atëherë ku janë të rinjtë shqiptarë? Nëse procesi ishte transparent, atëherë duhet të shpjegohet pse asnjë shqiptar nuk u shpall fitues. Nëse nuk ishte, atëherë transparenca është detyrim moral dhe institucional. Kujtojmë që, në një demokraci multietnike, barazia nuk duhet të jetë teori duhet të jetë praktikë. Nga kjo ngjarje, duket se rruga drejt një shoqërie të drejtë është akoma shumë e gjatë. E ndaj kësaj situate akoma nuk ka reaguar askush nga koalicioni përfaqësues i shqiptarëve në Qeveri dhe Kuvend, VLEN. /Zhurnal.mk
