Norvegjia dërgoi 76 automjete ushtarake për Maqedoninë e Veriut. Gjithsej 40 kamionë dhe 36 automjete të lehta këmbësorie janë ngarkuar dje nga porti Orkanger dhe do të transportohen me anije në Selanik, informoi Ambasada norvegjeze.
Me donacionin, e paralajmëruar në shtator 2023, siç informojnë nga Ambasada e Norvegjisë, do të pajiset një batalion i lehtë këmbësorie.
“Donacioni simbolizon rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit të NATO-s ndërmjet vendeve anëtare. Aftësia e aleancës për t’iu përgjigjur një krize ose konflikti varet nga forca dhe solidariteti i të gjitha vendeve anëtare, jo vetëm nga një komb. Më 4 prill të këtij viti, aleanca NATO mbush 75 vjet. Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s në vitin 2020 dhe Norvegjia ka qenë anëtare e NATO-s që nga formimi i aleancës në vitin 1949. Të dyja vendet kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit dypalësh dhe me hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Aleancë në vitin 2020, bashkëpunimi është bërë edhe më i fortë, thuhet në kumtesën e Ambasadës norvegjeze.
Donacioni, qëndron në kumtesë, është gjithashtu një donacion indirekt për Ukrainën, pasi Maqedonia e Veriut më parë i dhuroi Ukrainës një sasi të konsiderueshme pajisjesh. Me donacionin norvegjez, Maqedonia e Veriut do të mund të plotësojë një pjesë të pajisjeve që i dhuruan, theksojnë nga ambasada e Norvegjisë.
