20.8 C
Skopje
E premte, 18 Prill, 2025

Dorëzimi i Radoiçiqit dhe dialogu Kosovë – Serbi, temat e diskutimit mes O’Brienit dhe Kurtit

Raportet e Kosovës me Serbinë, përparimi në dialogun mes dy vendeve, dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoçiqit në Kosovë, kanë qenë disa prej çështjeve që kanë diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë, sipas Qeverisë së Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Qeveria e ka përmendur nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë, në mënyrë që ajo të respektohet dhe zbatohet.

Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh është arritur mes dy vendeve në shkurt të 2023ës në Bruksel, dhe më pas palët janë pajtuar për një aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por nuk është bërë drejtim drejt zbatimit.

Sa i përket ekstradimit të Radoiçiqit, Qeveria ka vlerësuar se dorëzimi i tij i shërben ligjshmërisë, drejtësisë, paqes dhe sigurisë.

Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerje të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, në të cilin është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.

Autoritetet drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiqit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka mirëpritur O’Brienin në vizitën e tij të parë në Kosovë, dhe ka thënë se bashkë me të do të diskutojnë me zyrtarë të Kosovës për çështjet bilaterale dhe do të ritheksojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës.

Të ngjajshme

Të fundit