6.8 C
Skopje
E hënë, 30 Mars, 2026

E djathta ekstreme shënoi fitore të madhe në Europë

E djathta ekstreme shënoi fitore të madhe në Gjermani, Francë dhe Austri në zgjedhjet për Parlamentin e BE-së të dielën.

Këtë e treguan sondazhet e opinionit, qe duke i bashkuar me rezultatet e Holandës shfaqin shenjat e para se në Parlamentin Europian po ndodh një ndryshim i pritshëm djathtas. Alternativa për Gjermaninë, parti e ekstremit të djathtë, zuri vendin e dytë pas konservatorëve të opozitës me rreth 16% të votave, nga 11% në vitin 2019. Të tre partitë në koalicionin e kancelarit gjerman Olaf Scholz pësuan humbje, sipas sondazheve.

Socialdemokratët e Scholz morën rreth 14% të votave. Rezultatet ishin në përputhje me një ndryshim të pritshëm më të gjerë në favor të partive të djathta në Parlamentin Europian, i cili mbulon një bllok prej 450 milionë qytetarësh. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen festoi rezultatet e arritura pas publikimit të exit-polleve. Ajo qëndron tani një hap larg mandatit të dytë si presidente e Komisionit Europian, institucionit ekzekutiv të BE-së. “Së bashku i keni fituar këto zgjedhje të BE-së në Gjermani”, tha Von der Leyen, duke folur nga Brukseli. Tejkalon çdo parashikim e djathta ekstreme në Francë.

Sondazhet treguan se partia “Tubimi Kombëtar” e udhëhequr nga Marine Le Pen, doli në krye me më shumë se 30% të votave. Asnjëherë më parë kjo parti nuk ka arritur të marrë kaq shumë vota. Partia Rilindja e presidentit Macron, doli e dyta me 15.2%. Socialistët, të tretët me 14%. Pjesëmarrja në Francë arriti afërsisht 51%. Duke folur para mbështetësve, kryesuesi i listës së partisë “Tubimi Kombëtar” Jordan Bardella tha se francezët dhanë një “vendim pa paralajmërim”.

Ndërkohë, në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë është fituese e mundshme e votimit, sipas një sondazhi të kryer gjatë javës së kaluar. Në Holandë, ku u votua të enjten, sondazhet treguan se partia anti-emigracion e nacionalistit Geert Wilders do të fitojë shtatë nga 29 vendet holandeze në Parlamentin e BE-së. Në Greqi, partia e kryeministrit Micotaqis, kryeson me diferencë të madhe.

Nea Demokratia pritet të marrë rreth 27.7%, ndërsa partia e dytë që është Siriza vetëm 14% të votave. Rreth 373 milionë qytetarë nga 27 vende të BE-së u ftuan të votojnë në këto zgjedhje. Parlamenti i ri Europian ka të ngjarë të jetë më i ftohtë në politikat për të adresuar ndryshimet klimatike, ndërkohë që është i etur për të mbështetur masat për të kufizuar imigracionin në BE.

Parlamenti Europian përbëhet nga 720 anëtarë (deputetë) të zgjedhur çdo pesë vjet.

Të ngjajshme

Të fundit