Bashkëshortja e ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Yllka Kaba Bekteshi, ka reaguar pas ndalimit të tij nga autoritetet në kuadër të hetimeve për zjarrin tragjik në Koçan, ku humbën jetën 59 persona. Në një deklaratë emocionale, ajo shpreh dhimbjen për viktimat dhe të lënduarit, por njëkohësisht dënon ashpër përdorimin e tragjedisë për qëllime politike, informon POPULLI.mk
“Uroj që Zoti t’u japë forcë familjarëve të viktimave për të përballuar këtë dhimbje. Janë në lutjet tona të gjithë ata që po mjekohen brenda dhe jashtë vendit,” shprehet ajo, duke përmendur edhe heroizmin e një të riu që shpëtoi 21 persona, si dhe fatkeqësinë e shoferit të auto-emergjencës, i cili humbi jetën nga shoku emocional pas asaj nate tragjike.
Ajo hedh poshtë pretendimet për arrestimin e Kreshnik Bekteshit, duke sqaruar se ai ishte paraqitur vetë në polici pas thirrjes zyrtare dhe se fillimisht ishte njoftuar për lirimin e tij. Megjithatë, sipas saj, pas tre minutash atij iu komunikua masa e ndalimit për 24 orë, pa praninë e avokatit, për t’u dërguar më pas në Koçan.
Bashkëshortja e Bekteshit thekson se ministria që ai drejtonte nuk kishte rol të drejtpërdrejtë në licencimin e objektit ku ndodhi tragjedia, duke theksuar se licencimi fillestar daton nga viti 2012, ndërsa ai ka nënshkruar vetëm një licencë të vitit 2021. “Pëlqimi nga Ministria e Ekonomisë vjen vetëm pasi kanë dhënë miratimin Komuna e Koçanit, Ministria e Transportit, MPB dhe Inspektorati i Tregut,” thekson ajo.
Duke kritikuar mediat që, sipas saj, po e devijojnë vëmendjen nga fajtorët e vërtetë, ajo thekson se prokuroria tashmë ka kërkuar 30 ditë paraburgim për Bekteshin. “Kjo nuk kalon! E vërteta është me Kreshnikun!” shprehet ajo, duke shtuar se si bashkëshorte dhe si nënë, kjo është vetëm një sfidë që do ta kalojnë së bashku.
Ajo i drejtohet bashkëshortit me fjalë të fuqishme mbështetjeje: “Kokën lart, Kreshnik! Hana dhe Trimi janë krenarë për ty. Zemra jote është e bardhë si krahët e fluturës që ndihmoje në kopshtin e oborrit.”
Në fund, ajo përmend emra simbolikë të atdhedashurisë, duke lënë të kuptohet se mbështetja për të nuk mungon dhe se e drejta do të triumfojë. / © POPULLI.mk
