15.8 C
Skopje
E hënë, 16 Shtator, 2024

Editorial/ Një “balancim” vërtet i “mirë”: Rrogat e funksionarëve u rritën 78 për qind, dënimet po ulen 300 për qind!

Pas rritjes enorme të rrogave të funksionarëve për 78 për qind, ishte e pritshme se pushteti do të bëjë “balanc” me ndonjë ulje enorme. Ky “balancim” ka arritur sot në Kuvend, në formën e Propozimit për ndryshsim të Kodit Penal, ku dënimet për disa vepra korruptive ulen nga 300 deri në 500 për qind. Ndoshta tingëllon e pabesueshme, por është shumë e vërtetë, shkruan Zhurnal.

Me ndryshimet e propozuara të Kodit Penal, për ata që manipulojnë tenderat, dënimet ulen nga 10 vite në 1 deri 3 vite burg. “Organizimi – shoqërimi kriminel” gjithashtu deri në 3 vjet, ndërsa vjedhja e buxhetit të shtetit, nga 10-15 vjet burg sa ishte deri tani, do të zëvendësohet me “deri 3 vjet burg”! Kjo është e vërteta. Mjaft jemi ankuar se Qeveria vetëm po rrit rrogat e funksionarëve, po rrit çmimet, po rrit harxhimet. Ja një ulje e propozuar nga pushteti edhe atë ulje e madhe. Dhe prapë do të ankohemi! (sic)

Ndryshimet e Kodit Penal, si formë për “amnistim total”!

Shakanë anash. Qeveria e RMV-së i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP), me të cilat ulen dënimet me burg për veprën e shpërdorimit të pozitës zyrtare. Amendamentet e propozuara ligjore për KP janë dorëzuar në Kuvend me flamur europian dhe tashmë janë futur në rend dite. Sipas propozimit, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e një vjetërsimi edhe më të shpejtë të lëndëve, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë të ndryshëm.

Ky propozim ka shkaktuar shumë reagime në opinioni, kurse reagimi më radikal për momentin ka ardhur nga shkupjani Umejr Muhamedi. Në shenjë revolte ndaj vendimit, ai ka grisur diplomën e tij të juristit, si i diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup, shkruan Zhurnal. Fotografinë e diplomës së grisur ai e ka postuar në Facebook. “Pas ndryshimeve të propozuara të Kodit Penal, përfundimisht më vjen turp se ku kam mbaruar Fakultetin. Kjo diplomë nuk ka më peshë për mua”, ka shkruar Muhamedi, duke adresuar edhe fjalë vullgare në postimin e tij në Facebook.

Ka reaguar edhe ish ministri i jashtëm në qeverinë e Zoran Zaev, Nikolla Dimitrov. “Një abuzim i tillë me gjithçka “evropiane” do të hyjë në tekste shkollore! Ndryshimet po futen në një derë të vogël, krahas ndryshimeve të tjera që bazohen në direktivat evropiane, por në arsyetimin e ndryshimeve nuk ka asnjë shpjegim për uljen e dënimeve për këto dy krime. Nga ‘pa drejtësi, nuk ka paqe’ kemi ardhur në ‘ska dënime, ska përgjegjësi’”, ka shkruar Dimitrov.

Përndryshe, ndryshime të tilla ligjore janë kërkuar nga VMRO-DPMNE në vitin 2018 në takimet e atëhershme midis Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve nga Qeveria e Nikolla Gruevskit, të akuzuar për vepra të ndryshme korruptive. Në vitin e ardhshëm, 2019, avokati i të akuzuarve Mile Janakieski dhe Nikola Gruevski pa sukses parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin ose anulimin e paragrafit 5 të nenit 353 të Kodit Penal, i cili i referohet veprave penale gjatë kryerjes së prokurimi publik ose dëmtimi i mjeteve nga Buxheti i Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga mjete të tjera të shtetit. Me propozimin aktual të Qeverisë, ky paragraf fshihet. Kryeministri Dimitar Kovaçevski i nënshkroi propozim-amendamentet ligjore dhe në shpjegimin thuhet se ato rrjedhin nga Programi nacional për miratimin e ligjit të BE-së.

Ai (Gruevski) po vjen, bashkë me shtatë-tetë deputetë për ndryshimet Kushtetuese?

Ndër dyshimet e para lidhur me prapavijën e këtyre ndryshimeve, ishte dyshimi se ndryshimet në Kodin Penal bëhen për ta shpëtuar Nikolla Gruevskin. Qëllimi për këtë beneficion të ofruar për Gruevskin dhe bashkëpunëtorët e tij, gjoja është përfitimi i shtatë ose tetë deputetëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së të cilët do të ndihmonin për sigurimin e 80 votave për ndryshimet kushtetuese. A është kjo prapavija e vërtetë dhe a do të lejojë faktori ndërkombëtar një de facto amnisti të tillë, mbetet të shohim.

Mirëpo dyshimin se ulja e dënimeve për funksionarët po bëhet me qëllim që të amnistohet Gruevski, e ka shprehur publikisht edhe opozita shqiptare.
Përmes një konference për media nga Fronti Opozitar, BESA, Alternativa, LD-ja kanë reaguar ndaj ndryshimit të Kodit Penal të RMV-së ku do të lehtëson dënimet për funksionarët e korruptuar.

”Sot jemi këtu para jush që të shpjegojmë se pse qeveria dhe shumica parlamentare e këtij Kuvendi po shpejtojnë me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndonëse përshkrimi i propozim-ndryshimeve është hartuar me gjuhë elokuente dhe me argumente europiane, kjo mund të kalojë tek ata që nuk dinë të lexojnë tekste juridike ose që nuk e kuptojnë hilenë e qeverisë e të këtij pushteti, por jo edhe tek ne.
Që në këtë konferencë për media të mos ju mërzisim me detaje juridike, sepse për ato do të kujdesemi të deklarohemi përmes amendamenteve, ajo që sot duam ta themi është se arsyeja themelore se pse po bëhen këto ndryshime në Kodin Penal është që sa më shpejt në Shkup të rikthehet, pa ferrë në këmbë, Nikolla Gruevski. Opinioni ka të drejtë ta dijë, ndërsa kryeministri Kovaçevski e ministri i Drejtësisë Lloga këtë e kanë detyrim ta shpjegojnë, se nëse kalon ky propozim-ndryshim i Kodit Penal, ndërsa ata e kanë shumicën ta kalojnë, pas kësaj lirisht mund t’ia presin Nikolla Gruevskit edhe një biletë njëkahëshe Budapest-Shkup e të dalin ta presin me të gjitha nderimet shtetërore”, ka reaguar deputeti Fadil Zendeli, në emër të Frontit Opozitar.

Për informacion të opinionit, Nikolla Gruevski për lëndën “Tanku” është i dënuar me dy vjet burg. Për lëndën “Titanik”, që është në vijim e sipër, me Kodin Penal aktual mund të dënohet deri në dhjetë vjet, ndërsa me ndryshimin e ri mund të dënohet me dy ose tre vjet burg. Për lëndën “TNT” ai është i dënuar me 9 vjet burg. Për lëndën “Dhuna në Komunën Qendër” është i dënuar me 1 vjet e 6 muaj burg. Për lëndën “Feniks” ende nuk ka vendim. Lënda “Talir” është kthyer në fillim të procedurës. Për lëndën “27 Prilli” procedura për Gruevskin është ndërprerë. Për lëndën “Talir 2” ai është dënuar me 6 vjet burg, ndërsa lënda është në Gjykatën e Apelit. Lënda “Traketorija” tashmë është vjetruar, ndërsa për lëndën “Trualli në Vodno” është dënuar me 7 vjet burg.

“Megjithatë, me këto propozim-ndryshime në Kodin Penal, që i propozon pushteti LSDM-BDI-ASH, krejt këto dënime të shqiptuara ndaj Gruevskit dhe ato që mund të vijojnë, bien në ujë. Për të gjitha lëndët në të cilat është gjykuar ose po gjykohet në mungesë ai mund të kërkojë përsëritje të procedurës, ndërsa – me këto ndryshime të Kodit Penal – të gjitha lëndët në atë rast do t’i shpallen të vjetruara dhe Gruevski, eventualisht, mund të gjykohet vetëm për lëndët “Tanku” dhe “Dhuna në Komunën Qendër”, që nuk parashohin më shumë se tre vjet burg, ndërsa me këso marifete manipulimi të drejtësisë siç dinë të bëjnë treshja Kovaçevski-Ahmeti-Taravari jemi të bindur se arrijnë ta shpëtojnë fare dhe bile t’i paguajnë dëmshpërblim e ta shpallin hero atë”, theksoi Zendeli.

Ai parashtroi pyetjen se pse kaq shumë i ngutet pushtetit që Kodin Penal, një temë kaq të rëndë e rëndësishme, ta miratojë me kaq urgjencë, madje ta vendosë në Komisionin e Çështjeve Europiane të Arbër Ademit të BDI-së e me flamur të BE-së? Madje Zendeli ka vlerësuar se ulja e këtyre dënimeve në fakt tregon se pushteti aktual është i vetëdijshëm se pas zgjedhjeve të ardhshme do të shkojë në opozitë, shkruan Zhurnal.
“Ne kemi dyshime të thella dhe të bazuara se ndryshimet e Kodit Penal po propozohen edhe sepse eksponentë të lartë të BDI-së, por edhe të LSDM-së, e dinë se pas zgjedhjeve të ardhshme do të jenë në opozitë dhe prandaj duan të krijojnë kornizë që mos t’i kapë ndjekja penale. Se për çfarë frikësohen, ata e dinë më së miri, ndërsa ne do ta marrim vesh vetëm pasi që ta kemi në dorë pushtetin, kur do të kemi qasje në krejt të palarat e këtij pushteti antipopullor”, shtoi Zendeli.

Fronti Opozitar është i bindur se krejt kjo çfarë po ndodhë me ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut na bind edhe një herë se pse kjo shumicë dhe kjo qeveri ka frikë nga propozim-amendamenti ynë për sanksionim kushtetutës të luftës kundër korrupsionit, në mënyrë që ato lëndë të mos vjetrohen kurrë. Sepse ndryshe as Mijallkovi nuk do të shpëtonte, as Gruevski nuk shpëton nesër, por as të tjerët pas tyre që e kanë shkelur vijën e kuqe. “Një pushtet që koketon me Gruevskin, për çfarëdo interesi, nuk e meriton më besimin e qytetarëve” – thuhet në deklaratën e përbashkët./Zhurnal

Të ngjajshme

Të fundit