Eksperti rus i politikës së jashtme, Konstantin Kosachev i sheh si pozitive bisedimet midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, si dhe takimin e Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Konstantin Kosachev, nënkryetar i Dhomës së Lartë të parlamentit të Rusisë, Këshillit të Federatës, tha sot se çelësi për t’i dhënë fund luftës mbeten bisedimet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – jo me evropianët.
“Një gjë është e qartë: çelësat e një zgjidhjeje janë në duart e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Evropianët do të vazhdojnë të shkaktojnë probleme”, tha ai në Telegram.
Ai vlerësoi qëndrimin e SHBA-së si të ekuilibruar dhe të orientuar drejt qëllimit, duke thënë se ekziston një ndjesi se lëvizja është në horizont.
Kosachev tha se procesi i vërtetë i negociatave ishte iniciuar nga telefonata midis presidentëve Trump dhe Putin.
“Marrëveshja për dy aspekte të negociatave – çështjet e sigurisë dhe ekonomike – ishte e rëndësishme”, tha ai.
Takimi i djeshëm midis Trump dhe Zelensky, i mbajtur pas telefonatës, nuk dha ndonjë rezultat të prekshëm.
Mbi të gjitha, çështja e dorëzimit të territoreve ukrainase, të cilat Rusia nuk ka qenë në gjendje t’i pushtojë ushtarakisht në luftën që filloi gati katër vjet më parë, mbetet e pazgjidhur.
