Ditën e sotme, partnerja e Safet Bajrit, Eria Ago, është lënë në burg nga Gjykata Apeli i Posaçëm, e cila ka miratuar masën e arrestit me burg ndaj saj për akuzat lidhur me krijimin e kushteve për vrasje dhe përkrahje te autorit të krimit.
Sipas hetimeve të deritanishme, Ago dyshohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm pas vrasjes së Fatbardh Licit, ngjarje që ndodhi në vitin 2018 dhe përplas familjet Lici dhe Bajri. Ajo akuzohet se ka larguar vrasësin, Astmer Bilalin, pas ngjarjes tragjike, duke e transportuar me automjet në Tiranë, ndërkohë që Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.
Dosja hetimore e SPAK përmban prova që tregojnë se, pas vrasjes së Licit, telefonata mes Eria Agos dhe Safet Bajrit tregon se mjeti tip ‘Benz’ me targën AA 989 TE, që u shfaq në vendin e ngjarjes, ishte drejtuar nga Ago. Hetimet sugjerojnë se ajo ka ndihmuar në largimin e Bilalit, ndërsa dy të dyshuarit ishin në komunikim të vazhdueshëm për të koordinuar veprimet e tyre.
Ky zhvillim është pjesë e hetimeve që lidhen me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur vendin, duke përfshirë përplasjen mes dy familjeve, të cilat janë tashmë nën hetim për veprimtari të paligjshme.
