Gjithsej 70 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut e mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, ku nga anëtarësimi presin përfitime siç janë kufinjë të hapur, tregti të lirë dhe një cilësi më e mirë e jetesës, tregojnë rezultatet e hulumtimit më të fundit të Eurobarometrit kushtuar procesit të zgjerimit të BE-së.
Në pyetjen “Kur besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e BE-së”, 27 për qind u përgjigjën “në pesë vitet e ardhshme” 35 për qind “prej pesë deri në 15 vjet”, ndërsa 16 për qind se “do të nevojiten më shumë se 15 vjet, por do të bëhet anëtare”. Po kaq për qind, 16, besojnë se “shteti kurrë nuk do të bëhet anëtare e BE-së”, ndërsa gjashtë për qind deklaruan se nuk e dinë.
Kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj BE-së, 23 për qind e qytetarëve të vendit kanë një përshtypje “shumë pozitive” për Unionin, 42 për qind “mjaft pozitive”, 20 për qind “neutrale”, 10 për qind “negative”, ndërsa katër për qind “shumë negative”. Një për qind e të anketuarve nuk kanë qëndrim.
Madje 90 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se janë “mirë” ose “pjesërisht” të informuar për procesin e integrimit të shtetit në BE, ndërsa 70 për qind mendojnë se anëtarësimi në BE do të sillte më shumë përfitime sesa mangësi për vendin.
Si përfitime nga anëtarësimi në BE, 48 për qind e qytetarëve të Maqedonisë i konsiderojnë kufijtë e hapur dhe mundësinë për të udhëtuar në vendet e tjera të Unionit pa viza, 43 për qind tregtinë e lirë dhe zonën pa dogana, ndërsa 42 për qind vlerësojnë si përfitim cilësinë më të lartë të jetës dhe standardin më të lartë jetësor.
Për 44 për qind të qytetarëve të vendit, shqetësimi më i madh lidhur me anëtarësimin në BE është largimi i të rinjve dhe migrimi, për 20 për qind rritja e burokracisë, ndërsa për 17 për qind numri më i madh i rregulloreve evropiane dhe kufizimi i lirisë kombëtare.
Pengesa kryesore për anëtarësimin e vendit në BE, sipas 41 për qind të të anketuarve të Maqedonisë, është “korrupsioni i përhapur”, për 38 për qind “mungesa e sundimit të ligjit dhe gjyqësori joefikas”, ndërsa për 37 për qind “mospajtimet e disa vendeve anëtare”.
Sipas hulumtimit, 51 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se mbështetja për zhvillimin ekonomik së vendit do të kontribuonte në një qëndrim më të favorshëm të qytetarëve ndaj BE-së, ndërsa 45 për qind mendojnë se kontribut më të madhë do të kishte një proces më i shpejtë i integrimit të vendit në Union dhe mbështetja për përpjekjet për uljen e korrupsionit.
Sa i përket asaj se në cilat fusha BE-ja duhet të luajë rol më të madh në ofrimin e mbështetjes për vendin, 39 për qind e qytetarëve besojnë se kjo duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe tregtia, 32 për qind përmendin – shëndetësinë, ndërsa 24 për qind – mbështetjen e të rinjve.
Besim ndaj BE-së, sipas Eurobarometrit, kanë shprehur 75 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, çka është më pak se besimi ndaj Bankës Botërore dhe FMN-së që është 79, gjegjësisht 76 për qind, por më e lartë se besimi ndaj NATO-s, e cila është 73 për qind.
Lidhur me mbështetjen financiare nga BE-ja për vendin, 93 për qind e të anketuarve deklaruan se janë të vetëdijshëm për të, 85 për qind mendojnë se ajo mbështetje është “e madhe” ose “mesatare”, 46 për qind vlerësojnë se Unioni ofron “burimin më të rëndësishëm të mbështetjes financiare për shtetin”, ndërsa 53 për qind besojnë se kjo mbështetje është efektive.
Në raportin e hulumtimit të Eurobarometrit theksohet se në vendet kandidate për anëtarësim, në përgjithësi mbizotëron një entuziazëm i madh për anëtarësimin në BE, por ai njëkohësisht është nën ndikimin e problemeve specifike ekonomike dhe gjeopolitike të secilit shtet.
Sipas rezultateve të hulumtimit, shumica e banorëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështesin anëtarësimin e vendeve të tyre në BE, me përjashtim të Serbisë ku mbështetja për inkuadrimin ndaj bllokut është më e ulët në rajon dhe arrin 33 për qind. Mbështetje më të madhe për anëtarësim në BE ka në Shqipëri prej 91 për qind.
Mbështetje të madhe për anëtarësim të vendeve të tye në BE shprehin edhe banorët e Gjeorgjisë për 74 për qind dhe Ukrainës 68 për qind.
Kur bëhet fjalë për imazhin e BE-së, në vendet e Ballkanit Perëndimor dominon një pamje pozitive për Unionin, me ç’rast qytetarët e vlerësojnë mbështetjen evropiane për zhvillim ekonomik dhe përpjekjet për luftë kundër korrupsionit. Vlerësim më i lartë pozitiv për BE-në shënohet në Shqipëri për 82 për qind, ndërsa më i ulët në Serbi prej 38 për qind.
Kur bëhet fjalë për vendet e a.q. Fqinjësia lindore e BE-së, imazh më pozitiv për Unionin ka në Moldavi për 55 për qind, para Ukrainës me 49 për qind dhe Gjeorgjisë me 43 për qind.
Një sfidë e madhe, sipas Eurobarometrit, është niveli i ulët i ndërgjegjësimit për Bashkimin Evropian dhe politikën e zgjerimit në të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim, me një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve që raportojnë se ndihen të informuar në mënyrë të pamjaftueshme. “Më të informuarit” janë banorët e Moldavisë dhe Malit të Zi, ku 48 dhe 39 përqind e të anketuarve thanë se ishin të informuar “mirë” ose “shumë mirë”. Për dallim, “më pak të informuarit” janë ukrainasit dhe serbët, ku kjo shkallë është përkatësisht 23 dhe 20 përqind.
Kur bëhet fjalë për Turqinë, mbështetja për anëtarësim të vendit në BE arrin 49,9 për qind, qëndrim pozitiv për Unionin kanë 50,7 për qind, ndërsa të informuar mirë për bllokun dhe politikat e tij janë 40,6 për qind e qytetarëve turq. Turqit si pengesë kryesore për inkuadrimin e vendit të tyre theksojnë mungesën e vullnetit politik, dobësitë në sundimin e ligjit dhe korrupsionin të përhapur gjerësisht.
Në nivelin e BE-së, mbështetja për anëtarësim shprehet nga 56 përqind e qytetarëve evropianë dhe është veçanërisht e lartë në mesin e personave të moshës 15 deri në 39 vjeç, ku arrin dy të tretat.
Në përgjithësi, qytetarët e BE-së mbështesin zgjerimin dhe besojnë se vendet kandidate duhet t’i bashkohen bllokut kur të plotësojnë kushtet e nevojshme, veçanërisht ato që lidhen me respektimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, me 56 përqind të tyre që vlerësojnë se vendi i tyre do të përfitonte nga pranimi i anëtarëve të rinj.
Megjithatë, një pjesë e evropianëve të anketuar shprehin brengë nga migrimi, korupsioni, krimi dhe shpenzimet financiare nga procesi i zgjerimit.
Kur bëhet fjalë për informimin, 67 përqind e qytetarëve të BE-së thanë se nuk ndihen të informuar mirë rreth procesit të zgjerimit.
Sipas eurokomisares për zgjerim Marta Kos, rezultatet e hulumtimit tregojnë se qytetarët e BE-së, ndërsa veçanërisht më të rinjtë, mbështesin zgjerimin.
“Eurobarometri dërgon një mesazh tjetër të qartë: njerëzit duan një proces të besueshëm të bazuar në vlera, të nxitur nga reforma të vërteta. Së bashku me shtetet anëtare, ne do të angazhohemi drejtpërdrejt me qytetarët, do të adresojmë shqetësimet e tyre dhe do të tregojmë se si zgjerimi sjell paqe, prosperitet dhe një Evropë më të bashkuar”, tha Kos.
Me hulumtimin për mbështetjen e procesit të zgjerimit të BE-së janë përfshirë të jgitha 27 vendet anëtare të Unionit, si dhe vendet kandidate dhe kandidatët potencial për anëtarësim.