Mbi 1000 muzikantë suedezë i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të Transmetuesve që të përjashtojë Izraelin nga festivali i Eurovisionit për shkak të luftës në Gaza.
Në një letër të hapur, artistët nga vendi pritës i Eurovizionit, deklaruan se presin që organizatori të jetë konsistent në qëndrimin e tyre ndaj vendeve që “shkelin vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut”.
Duke përmendur faktin se Rusia u ndalua të konkurronte në vitin 2022 për shkak të luftës në Ukrainë, artistët theksojnë se i njëjti parim duhet të zbatohet edhe për Izraelin.
Por kjo thirrje nuk u pranua nga drejtuesit e këtij institucioni që thonë se duhet ruajtur statusi i konkursit si një ngjarje apolitike që bashkon audiencën në mbarë botën përmes muzikës.
Edhe pse rregullat e konkursit specifikojnë se çdo promovim i mesazheve politike është i ndaluar, rregullorja është thyer vazhdimisht në të kaluarën.
E tillë ishte edhe ngjarja e vitit të kaluar në Liverpool, organizuar nga Mbretëria e Bashkuar në emër të Ukrainës, ku u shfaqën flamuj blu dhe të verdhë në shenjë solidariteti për Kievin.
Klan News
