Në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare për forcimin e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai udhëtoi drejt Dohës, Katar, për të përfaqësuar vendin në Sesionin e 11-të të Konferencës së Shteteve Palë të Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (CoSP11), informon POPULLI.mk
Me temën “Formësimi i integritetit të së nesërmes”, CoSP11 fokusohet te forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për rikthimin e aseteve të paligjshme, promovimi i integritetit në sektorin privat dhe angazhimi më i madh i shoqërisë civile.
Si pjesë e programit, Zëvendëskryeministri, së bashku me UNODC dhe Iniciativën Rajonale Antikorrupsion (RAI), do të jetë nikoqir i panelit “Strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit: impakti afatgjatë në Evropën Juglindore”. Gjatë diskutimeve, ai do të prezantojë lidershipin e Qeverisë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit, me fokus te mekanizmat konkretë të implementimit, koordinimi institucional dhe ndërtimi i besimit të qytetarëve.
Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë një aktor aktiv në arenën ndërkombëtare për transparencë, integritet dhe qeverisje të mirë, duke vendosur standarde të larta për luftën kundër korrupsionit në rajon. / © POPULLI.mk
