6.8 C
Skopje
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Filipçe: BDI e dëmtoi LSDM-në, Bexheti: Ne nuk jemi VLEN që t’i përshtatemi dikujt tjetër

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe deklaroi se LSDM-ja e ka marrë leksionin nga bashkëqeverisja me BDI-në duke ja faturuar partnerit të deridjeshëm të koalicionit meritat për rënien e rejtingut në zgjedhjet e fundit dhe për ndryshimet e nevojshme kadrovike që pësuan në parti. “Ishim servilë ndaj partnerëve të koalicionit kurse ata e keqpërdorën zemërgjerësinë tonë”, tha Filipçe në intervistë për 360 gradë.

“Është e qartë, dhe ky është një nga postulatet e programit, se ne do të ndërtojmë çdo koalicion të bazuar në politikat e vlerave dhe se nuk ia vlen të qëndrojmë në qeveri apo ta mbajmë qeverinë për një periudhë më të gjatë, ndërkohë që seriozisht dëmtohen pozicionet tona. Kjo ndodhi në vitet e fundit të qeverisjes nga 2022 deri në 2024”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

D.m.th. pajtoheni se në njëfarë mënyrë, BDI-ja e harxhoi LSDM-në?

“Po, dhe ky s’është vetëm konstatimi im. Kjo është pjesë e një analize shumë serioze që e kemi bërë dhe ky është leksioni i mësuar për të cilin flas”, shtoi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

BDI-ja duket se nuk ndjen përgjegjësi. Thonë se ata ndjekin vullnetin e shqiptarëve dhe jo të partnerit të koalicionit.

“Ne nuk jemi VLEN që t’i përshtatemi dikujt tjetër dhe nuk mund të mbajmë llogari se kë ka dëmtuar puna jonë. Puna jonë është vullnet i shqiptarëve dhe ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen atë vullnet ta artikulojmë kurse për përshtatje pyetni ata të tjerët të cilët jo vetëm që përshtaten por edhe shumë mirë shërbejnë”, deklaroi Blerim Bexheti.

Një ndër rastet që vazhdimisht përmendin eksponentët e LSDM-së, si tatëpjeta e tyre, është loja e ministrave të BDI-së me top në zyrat e Ministrisë për Sistem Politik dhe ndryshimet në Kodin penal. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit