Në një shoqëri, e cila pretendon të jetë multietnike dhe demokratike, është tepër shqetësuese të shohim se si shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me një trajtim diskriminues dhe të padrejtë.
Shkruan Elon Latifi
Ngjarjet e fundit, më saktësisht mbrëmjen e djeshme, shqiptarët u ndaluan të festojnë lirshëm dhe u vunë nën masa represive nga policia e shtetit. Ata u përcollën në çdo moment nga policia. Ky është një tjetër shembull i politikave të padrejta që ushqehen nga një qasje selektive ndaj drejtësisë.
Përse në Maqedoninë e Veriut duhet të dënohen vetëm shqiptarët? Incidentet me djegien e flamujve, si nga shqiptarët ashtu edhe nga maqedonasit, kanë përfunduar në ndëshkime të njëanshme. Kjo është një padrejtsi që nuk duhet heshtur. Çështja këtu nuk është justifikimi i veprimeve të papranueshme, por barazia në zbatimin e ligjit. Natyrisht ne e dënojmë djegien e flamujve, por fajtorët duhet të nxjerren para drejtësisë nga cilido qoftë tabor. Nëse një palë gjykohet dhe ndëshkohet, e njëjta masë duhet të aplikohet edhe për tjetrën. Por realiteti na tregon të kundërtën. Shqiptarët janë shpesh viktima të një sistemi që, në vend të drejtësisë, ushqen ndarje dhe antagonizëm etnik.
Djegia e flamujve, si simbol i një mllefi të ndërsjellë, është simptomë e një problemi shumë më të madh. Një shoqëri e ndarë dhe e polarizuar. Në vend që të trajtohet rrënja e problemit, politikat aktuale ushqejnë tensionet dhe nxisin incidente ndëretnike. Por pyetja ëhtë se kush po i inicon këto incidente? Pyetja kërkon përgjigje të ndershme dhe të guximshme. Por a ka kush e jep? Institucionet, përfshirë ato të sigurisë, duhet të jenë transparente dhe të mos tolerojnë individë apo grupe që mbjellin përçarje në shtet. Përkundrazi, shpesh ndodh që vetë këto institucione t’i thellojnë ndarjet për qëllime politike apo për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale.
Këtu hyn në lojë përgjegjësia e faktorit politik shqiptar. Deri kur do të heshtin liderët shqiptarë përballë kësaj padrejtësie? Qoftë pozitë apo opozitë. Përfaqësuesit politikë shqiptarë duhet të reagojnë ashpër ndaj këtyre padrejtësive dhe të bëjnë presion institucional që të ndalet diskriminimi. Ata nuk janë atje për të qenë spektatorë të një situate ku qytetarët që përfaqësojnë trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Një gjë është e qartë. Pa mirëqenien e shqiptarëve, nuk ka mirëqenie për askënd në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të mbesin shtyllë kryesore për sigurinë e vendit dhe përparimin e vendit. Një shtet që përjashton një pjesë të madhe të popullatës së tij nga drejtësia, barazia dhe mirëqenia, është i dënuar të ngecë në një rreth vicioz konfliktesh dhe pakënaqësish. Koha për ndryshim nuk është nesër por është sot. Ky ndryshim duhet të vijë nga ne, të gjithë qytetarët dhe liderët që refuzojnë të jenë të heshtur përballë padrejtësive.