7.8 C
Skopje
E hënë, 4 Nëntor, 2024

(FOTO) Avokati serb nderon familjen Jashari / “Urrejtja vdes, ti jeton përgjithmonë”

Rreth dy javë pasi politikani serb, Nikola Sanduloviq, u arrestua e u rrah brutalisht nga autoritetet serbe për homazhet në kompleksin e familjes Jashari, avokati i tij ka shkuar në Prekaz. Ka vendosur lule e la një mesazh te varri i njërës prej anëtareve më të rinj të Jasharëve, Blerinës.
“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra të cilat fillojmë me fjalën më fal”. Ky është mesazhi që avokati serb, Çedomir Stojkoviq, la mbi varrin e shtatëvjeçares Blerina Jashari.

Homazhet te varri i Blerinës u bënë shkak i arrestimit e trajtimit brutal të politikanit Nikola Sanduloviq, avokat i të cilit është Stojkoviqi.

https://www.facebook.com/photo/?fbid=764824445690822&set=pcb.764824495690817

Arrestimi i qytetarëve që vendosin lule te varrezat e duan pajtimin mes popujve, Stojkoviq tha se është shenjë që nuk duhet injoruar.

“Është paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur dhe se po pret momentin që të zgjohet sërish. Kjo e keqe tash po punon që ta vrasë shpresën se është e mundur e ardhmja e jonë e përbashkët kualitative”, tha Stojkoviq.

Ardhjen e tij në Prekaz disa muaj pas politikanit Sanduloviq e rreth 15 ditë pas arrestimit të tij, avokati serb tha se e ka bërë për të treguar se nuk frikësohen e se nuk mund t’i ndalojnë të ndjekin rrugën e pajtimit, paqes e drejtësisë.

“Nëse shteti im arrestoi dhe rrahu Nikola Sanduloviqin për shkak se vuri lule në këtë vend i vetëdijshëm dhe me vlerësimin e tij, tash shteti im ka mundësinë të më arrestoj mua po ashtu dhe t’i tregojë botës se ka një rregull të ri, sipas së cilit nëse vendosni lule të pajtimit në varre të kombësive të tjera, është e ndëshkueshme me burgim. Nëse nuk ndodh, atëherë duhet t’i shpjegojnë botës pse lulet e mia janë ndryshe nga ato të Nikolas, apo lulet e të gjithë tjerëve, dhe pse jam përjashtim që nuk arrestohem”, shtoi avokati.

Duke folur për politikanin Sanduloviq tha se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, porse nga rrahjet brutale ka mbetur i paralizuar në njërën anë.

Sipas tij, ndonëse është liruar nga mbajtja, Sanduloviq nuk është në liri dhe se atij i është marrë pasaporta nga autoritetet serbe.

Pas homazheve, Stojkoviq vizitoi muzeun e kompleksit të Jasharëve e u njoftua me pjesëtarët e familjes Jashari që u vranë nga forcat serbe.

Shënim la edhe në librin e kujtimeve.

Kreu i opozitës në Serbi, Nikola Sanduloviq, dyshohet se është rrahur brutalisht nga agjencia serbe BIA, pasi vitin e shkuar ka bërë homazhe e vendosur lule te varri i 7- vjeçares së familjes Jashari.

 

Të ngjajshme

Të fundit