Kanë vazhduar edhe sot reagimet për ndryshime skandaloze ligjore të Kodit Penal, nga të cilat do të përfitojnë funksionarët e dikurshëm dhe ata aktualë të partive politike, të cilët janë të përfshirë në raste korruptive. Nga Komisioni antikorrupsion thonë se me miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve në këtë ligj në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe atë me shpejtësi të rrufeshme, në procedurë të shkurtuar dhe duke përdorur flamurin evropian, gjegjësisht në mënyrë që të mos lejohet diskutim i gjerë publik, debat ekspertësh apo analiza e pasojave që do të sjellë kjo zgjidhje ligjore, rrezikohet seriozisht siguria juridike në vend, transmeton Portalb.mk.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) është i befasuar dhe i shqetësuar nga kjo mënyrë e nxjerrjes së ligjit, aq më tepër që në ndërkohë Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga KSHPK-ja që të japë mendim për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, me afat shpalljeje deri më 20 shtator 2023. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mendon se ndërhyrjet në nenet 353, 353c dhe 394 nuk kontribuojnë në luftën e forcuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkundrazi rrisin rrezikun e pazareve politike dhe tregtisë me ndikim. Lufta kundër korrupsionit edhe më tej do të mbetet vetëm deklarative”, thonë nga KShPK.
Nga nisma Më mirë për Tetovën rastin e vlerësojnë si legjitimim të krimit të organizuar dhe stimulim edhe më të madh të korrupsionit nga politikanë. Ata shtojnë se me këtë i hudhet benzin zjarrit të kulturës së pandëshkueshmërisë e cila e ka kapluar këtë vend që mundohet të bëhet shtet.
“Shteti i së drejtës nuk egziston. Tre partitë më të mëdha janë shëndërruar në trekëndësh të Bermudeve që rrënojnë çdo ëndërr se në këtë shtet ja vlen të jetohet. Me këtë i hapet rruga edhe hovit të shpërnguljeve masive, me çka brezat që vijnë, këtu nuk shohin më të ardhme – si pasojë e politikanëve hajdutë. Për fat të keq i gjithë ky teatër i shëmtuar bëhet për pazare për të siguruar ndryshimet kushtetuese në emër të integrimeve evropiane. Ajo që është zhgënjyese për qytetarët është se e gjithë kjo e keqe që po na ndodh sot para syve, kalon pa asnjë reagim të faktorëve ndërkombëtarë duke lënë një shije të keqe për të besuar se e gjithë kjo bëhet edhe me miratimin e tyre të heshtur”, thonë nga kjo nismë.
Nga ana tjetër edhe Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit kërkon që presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, të shfrytëzojë të drejtën e vetos të garantuar me Kushtetutë, dhe të mos nënshkruajë dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Kodin Penal, të miratuar nga Kuvendi dje, më 6 shtator 2023.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, anëtare të Platformës, siç informojnë ata, i kanë dorëzuar kërkesë zyrtare me shkrim presidentit Pendarovski. Platforma thekson se janë dy arsye pse presidenti Pendarovski ka për detyrë të përdorë veton.
- Arsyeja e parë, thuhet në kumtesën e Platformës, është se me ndryshimet në nenet 353 dhe 353c, ulja e propozuar e dënimeve do të rezultojë në: vjetrimin e shumë çështjeve të profilit të lartë si Titaniku, Target/Fortesa, TNT, Titanik 2, Thesari, Talir, Shkallës spanjolle dhe Trajektorja, si dhe raste të tjera të profilit më të ulët; do të shkatërrojë besimin se lufta kundër korrupsionit është e mundur dhe do të demotivojë qytetarët të raportojnë korrupsionin; dhe do të zvogëlojë funksionin parandalues të sistemit të drejtësisë penale.
- Arsyeja e dytë, thekson platforma, lidhet me mospërputhjet procedurale, në të cilat ndryshimet në këto dy nene konsiderohen me një procedurë të veçantë dhe të shkurtër nën flamurin evropian, megjithëse sipas tabelave ekzistuese përkatëse ato nuk janë në përputhje me standardet evropiane.
Në këtë mënyrë luhet me procedurat e shkurtuara dhe Kuvendi nuk e kryen detyrën e tij të këshillimit sipas normave që ka.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, nga ku thonë se me ndryshimet në Kodin Penal që po i propozon pushteti LSDM-BDI-ASH po ja hap derën e kthimit ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe opinioni i gjerë duhet të jetë mirë i informuar për një gjë të tillë.
Ndërkohë, edhe ajo që përfiton më së shumti nga këto ndryshime, VMRO, ka reaguar sot duke thënë se LSDM-ja dhe BDI-ja votuan për amnistinë e krimeve të tyre, “ndërsa vëzhguesi, folirantët e Levicës nuk votuan kundër ndryshimeve në Kodin Penal”.
“LSDM dhe BDI kanë votuar për amnisti për krimin e tyre në 6 vitet e fundit dhe e dinë se po bien me siguri. LSDM dhe BDI po përgatiten për opozitë, e dinë se nuk do t’i kenë më gjykatat nën kontroll dhe do të duhet të përgjigjen për krimet që bëjnë, ndaj ulin dënimet. “E majta” është hipokrite si kurrë më parë, në vend që të luftojë dhe të votojë kundër amnistisë për kriminelët e LSDM-së dhe BDI-së, ata i ndihmojnë”, thon nga VMRO.
Dje reagoi edhe opozita e bashkuar shqiptare, përkatësisht Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, nga ku thanë se arsyeja themelore pse bëhet këto ndryshime janë që në Shkup të kthehet Nikolla Gruevski dhe që shumica aktuale, e cila pas zgjedhjeve mund të shkojë në opozitë, krijon kushte që të mos kapen nga ndjekja penale.
Transparency International nga ana tjetër, poashtu ka shprehur shqetësim lidhur me Propozimin e Qeverisë për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal në procedurë të shkurtuar.
Me një zgjidhje të tillë ligjore, shtojnë nga TI, shumë akuza dhe hetime për krime korruptive-financiare të niveleve të larta të kryera në dëm të shtetit do të pësojnë vjetrim.
Kujtojmë se
Opozita e bashkuar shqiptare, përkatësisht Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, kanë dalë kundër propozim-ndryshimeve për Kodin Penal. Në një konferecë për media, Fadil Zendeli nga radhët e Besës, në emër të të tre partive, tha se arsyeja themelore pse bëhet këto ndryshime janë që në Shkup të kthehet Nikolla Gruevski dhe që shumica aktuale, e cila pas zgjedhjeve mund të shkojë në opozitë, krijon kushte që të mos kapen nga ndjekja penale, transmeton Portalb.mk.
“Kovaçevski dhe Lloga e kanë detyrim të shpjegojnë. Me këto propozim-ndryshime, krejt këto dënime të shqiptuara ndaj Gurevsit bien në ujë. Ai mund të kërkojë përsëritje të procedurës, dhe Gruevski eventualisht mund të gjykohet vetëm lëndët për rastin Tanku dhe Dhunën në Qendër, që nuk parashohin më shumë se tre vjet burg”, tha Zendeli.
Zendeli tha se ata kanë dyshime se këto ndryshime po propozohen se eksponentë të lartë të BDI-së dhe LSDM-së mund të jenë në opozitë dhe duan të krijojnë kornizë që mos t’i kapë ndjekja penale.
“Ajo që bie në sy është se propozim-ndryshimi i kodit Penal nuk është i nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, por nga zëvendësi i tij. A dëshiron ASh-ja t’i lajë duart dhe të thotë se nuk ka faj për shërbimin që i bëhet Gruevskit? Ne presim që edhe ministri i Drejtësisë por edhe kreu i ASh-së të dalin dhe të tregojnë se a pajtohen me këto ndryshime të Kodit Penal. Nëse nuk pajtohen, atëherë më e pakta që mund të bëjnë si parti është që ministri Lloga të japë dorëheqje, sepse e dimë që ata tashmë nuk mund të dalin prej kësaj Qeverie. Krejt kjo që po ndodh me ndryshimet kushtetuese, na bind edhe njëherë se kjo shumicë dhe kjo qeveri ka frikë nga propozim-amendamenti ynë për sanksionim kushtetues të luftës kundër korrupsionit në mënyrë që ata lëndë të mos vjetërohen”, thonë partitë opozitare.
Transparency International nga ana tjetër, poashtu ka shprehur shqetësim lidhur me Propozimin e Qeverisë për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal në procedurë të shkurtuar.
“Ndryshimet e propozuara janë në kundërshtim me angazhimin për një luftë të pakushtëzuar kundër korrupsionit dhe për forcimin e sanksioneve ndaj personave të akuzuar ose të dënuar për krime korruptive. Në këto momente indikacionesh të forta të brendshme dhe të jashtme janë se korrupsioni, veçanërisht korrupsioni i lartë, është në nivele të larta dhe besimi në drejtësinë e 0.4% të qytetarëve është në nivelin më të ulët në historinë e këtij vendi, kur ka është gjendje e pandëshkueshmërisë dhe i mungon çdo lloj përgjegjësie, në Kuvend është paraqitur propozim për zgjidhje ligjore, e cila duhet të mundësojë trajtim më të butë, sanksione më të buta, përjashtim nga fajësia, konfiskim të pamundur, për autorët që kanë shpërdoruar pozitën zyrtare për qëllimet e tyre”, thonë nga TI.
Me një zgjidhje të tillë ligjore, shtojnë nga TI, shumë akuza dhe hetime për krime korruptive-financiare të niveleve të larta të kryera në dëm të shtetit do të pësojnë vjetrim.
“Këtë praktikë të miratimit të ligjeve me masë e kemi njohur tashmë dhe e kemi vënë re në kohën kur duhej të siguronim votat për Marrëveshjen e Prespës”, thuhet në reagimin e TI-së.
Kujtojmë se Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP) , i cili u votua dje. “Pro” votuan 48 deputetë, “kundër” 36 dhe një “abstenim”. Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.
Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.
Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.
