9.8 C
Skopje
E premte, 13 Shkurt, 2026

Frçkoski në mbrojtje të studentëve shqiptarë: Provimi i jurisprudencës të jepet në shqip

Profesori universitar dhe ish-diplomati Lubomir Frçkoski ka dalë hapur në mbrojtje të studentëve shqiptarë, duke theksuar se ata duhet të kenë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë studiuar – në këtë rast, në gjuhën shqipe.

Në një intervistë për median “Nova”, ai e konsideron këtë çështje si një parim elementar të barazisë dhe mosdiskriminimit.

Sipas Frçkoskit, nëse procesi arsimor i studentëve për katër vite është zhvilluar në një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, atëherë është e logjikshme dhe e drejtë që edhe provimi përfundimtar – si pjesë integrale e formimit profesional në fushën penale, civile dhe juridike – të mund të jepet në të njëjtën gjuhë. Në të kundërtën, thekson ai, studentët shqiptarë do të viheshin në pozitë të pabarabartë krahasuar me kolegët e tyre që kanë studiuar dhe japin provimin në gjuhën maqedonase.

Ai nënvizon se kërkesa për dhënien e provimit në gjuhën shqipe nuk është privilegj, por standard i barazisë në arsim dhe në qasje profesionale. “Në të kundërtën, kemi diskriminim të qartë”, argumenton profesori, duke shtuar se kjo çështje nuk duhet të jetë objekt polemikash politike, por të trajtohet si e drejtë themelore.

Frçkoski, profesor shumëvjeçar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Nju Jork, e mbyll debatin me një qëndrim të prerë: nëse arsimi zhvillohet në një gjuhë, atëherë edhe vlerësimi përfundimtar duhet të respektojë të njëjtin standard. Në këtë kontekst, ai u del në ndihmë studentëve shqiptarë duke artikuluar publikisht një argument që lidhet drejtpërdrejt me parimin e barazisë para ligjit.

Të ngjajshme

Të fundit