FC Shkupi ka konfirmuar me dhimbje të thellë se futbollisti i tyre, Andrej Lazarov, ka humbur jetën në zjarrin tragjik që ndodhi gjatë natës në Koçan. Fillimisht, familjarët kishin dhënë informacione se ai ishte mirë, por më vonë u konfirmua se ai ishte mes viktimave, informon POPULLI.mk
Sipas njoftimit të klubit, Lazarov tregoi heroizëm të jashtëzakonshëm, duke u përpjekur të ndihmojë të tjerët të shpëtojnë nga ambienti i kapluar nga zjarri. Fatkeqësisht, ai u helmua nga tymi gjatë përpjekjeve të tij për të shpëtuar jetë, duke lënë pas një akt të pashoq humanizmi dhe guximi.
“Veprimi i tij heroik do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, si një dëshmi e karakterit të tij fisnik dhe zemrës së tij të madhe,” thuhet në reagimin e FC Shkupit.
Kjo është një humbje e madhe për klubin, shokët e skuadrës dhe gjithë komunitetin e futbollit. FC Shkupi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Lazarovit, të afërmve dhe gjithë komunitetit sportiv.
“Andrej ishte vetëm gjashtë muaj pjesë e Shkupit, por emri i tij do të mbetet i pashlyer gjithmonë si pjesë e skuadrës sonë. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i paharruar në zemrat tona!” – përfundon njoftimi i klubit.