Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë miratuar 10 avancime dhe 11 vendime të rëndësishme, me qëllim të përforcimit të sigurisë institucionale dhe krijimit të një strukture më stabile për të punësuarit e administratës komunale, informon POPULLI.mk
“Si Kryetar i Komunës, jam i bindur se fuqizimi i administratës fillon nga brenda – përmes një strukture të qartë, procedurave të drejta dhe një ambienti pune që garanton vlerësim dhe respekt për secilin punonjës”, ka theksuar Ganiu.
Vendimet e miratuara përfshijnë standardizimin e praktikave të brendshme, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe rritjen e transparencës dhe forcimin e mbështetjes profesionale për të punësuarit.
Sipas Ganiut, këto masa synojnë ndërtimin e një administrate më efikase dhe të qëndrueshme, e aftë për të përballuar sfidat e përditshme dhe për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët e Çairit.
“Përmes këtyre vendimeve, kemi ndërtuar një bazë më të fortë që do të na mundësojë të punojmë me profesionalizëm dhe përkushtim në shërbim të komunitetit”, ka përfunduar kreu i Komunës së Çairit.
