25.4 C
Skopje
E shtunë, 8 Gusht, 2026

Gara e mundshme Osmani – Mexhiti në Çair ndez skenën politike!

BDI është në kërkim të kandidatit të duhur për Çairin — bastionin simbolik politik për shqiptarët në Shkup. Pas përçarjeve të brendshme dhe dhe daljes në opozitë, partia po shqyrton mundësinë që në këtë komunë të garojë me një figurë me peshë. Emri që po qarkullon gjithnjë e më shumë në korridoret e BDI-së është ai i Bujar Osmanit, informon POPULLI.mk

Si një figurë e profilit të lartë ndërkombëtar, me përvojë si ministër i Jashtëm, Osmani shihet si emër që mund të mobilizojë votuesit e zhgënjyer dhe të krijojë një efekt ringjalljeje për partinë. Por nga ana tjetër, sfida do të ishte e madhe nëse përballet me Izet Mexhitin, njeriun që ndërtoi Çairin për vite me radhë dhe që në zgjedhjet e fundit dëshmoi se nuk është lehtë i zëvendësueshëm si figurë çairase.

Nëse BDI vendos të fusë në garë Bujar Osmanin, VLEN do të përballet me një vendim strategjik, të mbajë kandidatin aktual Visar Ganiun, apo t’i hapë rrugë rikandidimit të Izet Mexhitit, figurës me mbështetjen më të madhe lokale. Ganiu nuk arriti të krijojë një identitet të fortë politik gjatë 2 mandateve të tij si kryetar komune, dhe kjo mund ta bëjë më të lehtë vendimin për t’ia lënë hapësirën Mexhitit, nëse qëllimi është fitorja.

Bazuar në zgjedhjet e fundit dhe rrjetin e thellë që ka ndërtuar në lagje si Gazibaba, Serava dhe Topanë, Mexhiti mbetet favorit. Ai gëzon besim të rrënjosur dhe lidhje të forta me strukturat lokale. Me një fushatë të mirëorganizuar dhe pa ndarje në kampin opozitar, shanset e tij janë reale.

Një garë mes Osmanit dhe Mexhitit do të ishte një përballje mes elitës diplomatike dhe terrenit politik. Osmani do të mbështetej në imazhin e tij si përfaqësues i suksesshëm në politikën e jashtme, ndërsa Mexhiti do të luante kartën e besnikërisë, përfaqësimit autentik dhe kontributit afatgjatë në komunë. Do të ishte një betejë e fortë për zemrën e Çairit.

Nëse BDI hyn me Osmanin dhe VLEN me Mexhitin, fitorja do të varej nga dy faktorë. Mobilizimi në terren dhe besueshmëria e mesazhit. Osmani do të kishte nevojë për një strukturë të fortë për ta bartur fushatën në çdo lagje, ndërsa Mexhiti tashmë ka atë strukturë të gatshme. Në këtë skenar, Mexhiti ka më shumë gjasa të marrë vota më shumë, por rezultati do të ishte i ngushtë dhe lufta do të ashpërsohej deri në ditën e fundit të fushatës.

Çairi mund të kthehet në arenën më të fortë politike mes dy figurave që dikur ishin në të njëjtën anë. Kjo garë do të tregojë jo vetëm kush kontrollon Çairin, por edhe kah do të ecë politika shqiptare në Shkup. / © POPULLI.mk