Për herë të parë në historikun e Universitetit të Tetovës, kandidatët për Rektor debatuan me njëri-tjetrin në lidhje me planet e tyre për Universitetin. Të pranishëm ishin kandidatët Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi, nuk mori pjesë kandidati i përfolur si i BDI-së, Jusuf Zejneli, madje nuk e pa të arsyeshme as të arsyetojë mungesën, kështu duke treguar jo-transparencë dhe neglizhencë ndaj garës për të parin e Universitetit më të madh shqiptar në vend.
Bashkim Ziberi tha se platforma e tij në fokus ka studentët, premtoi laboratorë kërkimore shkencore, rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë së Arsimit.
“Studentët kanë botën e tyre dhe ne duhet të ju lejojmë atyre ta zhvillojnë një botë të pavarur, të pa diktuar nga tjerët, dhe po nuk arritëm ta bëjmë këtë, ne nuk kemi krijuar një shoqëri inkluzive brenda universitetit por edhe në përgjithësi si shoqëri jashtë hapësirave universitare. Pjesa tjetër është zhvillimi strategjik i universitetit, ne kemi nevojë për investime kapitale, për shembull fakulteti i Mjekësisë ende nuk ka objektin e vetë, dhe ne duhet të gjithë së bashku të punojmë që të fillojnë investimet kapitale që të paktën çdo fakultet të ketë objektin e vetë,” deklaroi Bashkim Ziberi, kandidat për Rektor të UT-së.
Myqereme Rusi mes tjerash premtoi digjitalizim të shërbimeve, lehtësime për studentët që vijnë nga jashtë por edhe për profesorët e interesuar për kërkime shkencore.
“Të gjithë profesorët e këtij universiteti, të gjitha vlerat shkencore akademike që i kanë mbri, ikanë mbri me harxhime vetanake. Deri tani nuk kemi pasur asnjë përkrahje qoftë të udhëtimit nëpër konferenca ndërkombëtare, dhe këtë nivel që e kemi arrit kemi bë investime personale në aspekt të profesionalizmit, të arritjes akademike të thirrjeve akademike që i kemi, në bazë të programit që e kam, mendoj të ndahet fond i veçantë për hulumtime, kërkime shkencore për profesorët që do të tregojnë interesim,” tha Myqereme Rusi, kandidate për Rektor të UT-së.
Dervish Alimi tha se do të rrisë bashkëpunimet ndërkombëtare, presionin që shteti t’i kushtojë më shumë rëndësi UT-së. Ai akuzoi për “përzierje” të ish-udhëheqësisë të këtij Universiteti në zgjedhjet.
“Nuk është në fund rezultati votat si do të dalin, është ajo që i paraprin votimeve. Ta marr guximin të them, nuk guxon struktura e vjetër të porosisë se kush është kandidati i preferuar, këtu te ne ndodh, publikisht ky është kandidati im- thotë ish rektori.. ka plotë dëshmitarë që e kanë dëgjuar me veshët e vet, nuk është problem – e drejta e tyre legjitime, por nuk e ka të drejtën të lë trashëgimtar. Në fund të fundit nuk është pronë private,” u shpreh Dervish Alimi, kandidat për Rektor të UT-së.
Debati u organizua nga Forumi për Ndryshime në Arsim. Konkursin për Rektor të UT-së e kanë shoqëruar një sërë skandalesh, çka bëri që konkursi fillestar të anulohet por pa kritika nuk shpëtoi as konkursi i ri. Kandidati që ka qenë “cak” i tyre si për amoralitet, ashtu edhe për kandidim nën “diktate” të BDI-së, Jusuf Zejneli, shmang çdo dalje publike, ashtu edhe këtë debat. /alsat.mk
