Ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit pa drejtorë të emëruar, do të mbeten pas festave të fund vitit. Përderisa kuadro të VMRO-DPMNE janë rehatuar nëpër disa nga drejtoritë kryesore të kryeqytetit, ende nga koalicioni VLEN nuk kanë marrë hisen e tyre. Deri tani pa ushtrues detyre prej ndërmarrjeve të rëndësishme ka mbetur vetëm NP “Parqe dhe Gjelbërime”, e cila me gjasë do ti ngelet atyre të VLEN-it.
Kryetari Orce Gjeorgjievski tha se janë në fazën e përzgjedhjes së drejtorëve me partnerët e koalicionit.
“Po përfundon procesi i intervistimit të kuadrove të mbetura, të cilët mund të jenë drejtorët e rinj potencial në ndërmarrjet tjera të mbetura siç janë ‘Parqe dhe Gjelbërime’ dhe të mbeturat. Edhe partnerët tanë të koalicionit marrin pjesë në gjithë këtë proces. Unë kam përkrahje të qartë dhe padyshim nga grupi i tyre i këshilltarëve në Këshill, ne jemi në koalicion si në nivel qendror por jemi në koalicion edhe në nivel lokal, që nënkupton se me partneritet i ndërtojmë raportet tona. Në periudhën në vazhdim, mendoj pas festave do të përfundojnë këto procedura dhe për gjithçka të mbetur ju e dini se jam i hapur për publikun dhe me kohë do të jeni të informuar për të njëjtën”, tha Orce Gjeorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit .
Por nga VLEN thonë se emërimet e deritanishme nuk janë përfundimtare, por vetëm ushtrues detyre.
“Emërimet që kanë ndodhur deri tani janë vetëm si ushtrues detyre dhe në momentin që do të ketë marrëveshje politike mes koalicionit VLEN dhe VMRO, emrat të cilët do t’i propozojë koalicioni VLEN që i kanë takuar sipas marrëveshjes, do t’i zënë vendet e tyre nëpër ato ndërmarrje. Arsyet e zvarritjes për emërime të caktuara janë për shkak se tregohemi kujdesshëm që shqiptarët e Qytetit te Shkupit të kenë një përfaqësim sa më të mirë dhe për këtë arsyeje nuk po ngutemi edhe me emërime, sepse dëshirojmë të kemi një marrëveshje sa më të mirë, që të kemi një përfaqësim dinjitoz dhe të mos na përsëriten problemet të cilat kanë qenë prezentë gjatë 4 viteve të kaluara”, thonë nga koalicioni VLEN.
Qyteti i Shkupit deri tani ka emëruar ushtrues detyre në Ndërmarrja Publike “Ujësjellës e Kanalizim”, Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”, Rrugë dhe Rrugica, NQP, Drislla dhe Parkingu i Qytetit.
