8.8 C
Skopje
E enjte, 29 Shkurt, 2024

Gjermania bën thirrje për “pauza urgjente humanitare” në Gaza

Gjermania ka bërë thirrje për “pauza urgjente humanitare” në Rripin e Gazës për të lejuar qasjen e papenguar humanitare për popullin palestinez, transmeton Anadolu.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, përsëriti mbështetjen e fuqishme të qeverisë së saj për luftën e Izraelit kundër Hamasit, por gjithashtu tha se ata presin që të merren masa për të minimizuar vuajtjet e civilëve palestinezë.

“Ne kemi nevojë urgjente për pauza humanitare për të zbutur situatën në Gaza, për të lehtësuar vuajtjet e pabesueshme, veçanërisht për fëmijët. Gjithashtu kemi nevojë për pauzat humanitare në Gaza për të çliruar përfundimisht pengjet që ende mbahen nga Hamasi”, u tha Baerbock gazetarëve në Bruksel para një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).

Në takimin e sotëm, shefja e diplomacisë gjermane tha se ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë kryesisht mënyrat humanitare për Gazën, përpjekjet diplomatike për të arritur një pauzë humanitare dhe lirimin e pengjeve të mbajtur nga grupi palestinez Hamas.

“Izraeli mund të jetojë në siguri vetëm kur palestinezët mund të jetojnë në siguri, me dinjitet. Dhe palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, në siguri dhe në liri vetëm kur Izraeli jeton në siguri”, tha Baerbock, duke shtuar se zgjidhja me dy shtete është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një inkursioni ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.105 palestinezë dhe duke plagosur 62.681 të tjerë.

Ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërkohë që 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Të ngjajshme

Të fundit