Alarmet që pushtuan kryeqytetin të dielën mbrëma, më së shumti tronditën familjen Myftari.
Dy djemtë e saj, u përfshin në një përleshje me ç’rast njëri nga ta vdiq nga plagët që ia shkaktoi vëllai me një mjet të mprehtë, në lagjen Pejton, në rrugën “Tirana”, pranë banesës ku jetonin.
I dyshuari Gent Myftari, gjatë mbrëmjes të së dielës nën shoqërimin e policisë, mori tretman mjekësor në Emergjencën e kryeqytetit. Për televizionin këtë e konfirmoi edhe drejtori i Emergjencës Naser Syla, i cili tha se pas mjekimit, ai u lirua nga spitali nën përcjellje të policisë.
Këta të fundit bashkë me prokurorinë po e hetojnë rastin.
E një mik i përbashkët i dy vëllezërve, që deshi të qëndrojë anonim, në emisionin “Kosova Today”, pohoi se dorasi më herët ka pasur problem shëndetësore e psiqike.
Varrimi i të ndjerit, siç bëri te ditur vëllai i tij, do të bëhet të martën në orën 12:00. Ndërkaq sipas këtij të fundit, të pame nuk do të ketë, për shkak të rrethanave.
