Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), vendosi këtë mbrëmje 12 shkurt të lërë nën masën e sigurisë së arrestit me burg pa afat, kryetarin ende në detyrë të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Vendimi ishte një rikonfirmim i masës së sigurisë që u shpall dy ditë më parë në 10 shkurt 2025 nga i njëjti gjyqtar, Erion Bani, kryetar në detyrë i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vendimi erdhi pas kërkesës së prokurorëve Altin Dumani dhe Ols Dado për të lënë në fuqi vendimin e parë.
Gjatë seancës, Erion Veliaj u deklarua i pafajshëm dhe akuzoi prokurorin Ols Dado për konflikt interesi.
Për gruan e Veliajt, Ajola Xoxa, gjykata hoqi masën e arrestit shtëpiak dhe la masën e re detyrim paraqitjeje, por edhe ndalimin që të largohet nga Shqipëria.
Vendimi për të lënë në qeli Erion Veliajn, vjen ndërsa para SPAK dhe gjykatës gjatë gjithë ditës së sotme qindra punonjës të organizuar të bashkisë Tiranë dhe plot mbështetës e militantë të PS.
Jashtë gjykatës, mbështetës të Veliajt u panë duke protestuar kundër prokurorisë dhe gjykatës me pankarta që paraqesnin foto të objekteve të ndryshme të ndërtuara në Tiranë gjatë viteve të fundit, si trofe suksesi të Veliajt.
Vendimi pasoi një seri deklaratash të forta si asnjëherë më parë nga Edi Rama që doli disa herë publikisht për të fshikulluar dhe paralajmëruar SPAK dhe gjykatën speciale.
Kryeministri foli në mënyrë të përsëritur dhe lëshoi mesazhe paralajmëruese që tha se do të vijojnë dhe nesër. Ai po ashtu sulmoi një gjyqtar duke e cilësuar atë si “kamikaz të bufit të kënetës” duke nënkuptuar Sali Berishën. Disa herë ai denoncoi se Veliaj po mbahet në burg “pa gjyq”.
Sipas prokurorisë, Veliaj dhe Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 870 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.
Burimi / NOA.al