Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër në Kuvend ndaj propozim-ligjit për vetëqeverisje lokale, për të cilin ishte lavdëruar zëvendësministri Arben Fetai. Sipas Snopçes, qëllimi i këtij ligji është të eliminohen qytetarët jorezident dhe, për pasojë, të dëmtohen komunat shqiptare përmes shkurtimit të ndihmave financiare që ndahen për kokë banori.
“Ky ligj nuk do të kalojë,” deklaroi Snopçe nga foltorja e Kuvendit. “Kur isha koordinator i VLEN-it, kishim qëndrim të palëkundur kundër tij dhe për këtë arsye, para katër muajsh, kërkuam interpretim autentik – një përgjigje që ende nuk kemi marrë.”
Ai i bëri thirrje kolegëve të VLEN-it që të tregojnë kohezion politik dhe të dalin publikisht kundër këtij ligji, ashtu siç vepruan më herët në bllokimin e përpjekjeve për interpretimin e himnit shtetëror.
“VLEN-i duhet të tregojë madhështi sërish dhe të bllokojmë bashkarisht edhe këtë ligj, që është i dëmshëm për shqiptarët,” përfundoi Snopçe.