Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e rrugës nr. 12 në Komunën e Haraçinës, projekt ky me gjatësi 1700 metra dhe vlerë investimi rreth 430 mijë euro, informon POPULLI.mk
Ky investim po realizohet nga Ministria e Transportit me mbështetje financiare të Bankës Botërore dhe konsiderohet një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për banorët e zonës.
Në inspektim morën pjesë edhe kandidati për kryetar të Komunës së Haraçinës nga koalicioni VLEN, Daut Beqiri, si dhe kryetari aktual, Ridvan Ibraimi. Ata u njohën nga afër me ecurinë e punimeve, të cilat po zhvillohen sipas standardeve bashkëkohore.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës në Haraçinë. Punimet po realizohen me përkushtim dhe standarde të larta, sepse për Haraçinën ia VLEN,” theksoi zëvendësministrja Zekolli Shaqiri.
Banorët e Haraçinës pritet të përfitojnë ndjeshëm nga ky investim, i cili do të lehtësojë qarkullimin dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës në këtë komunë. / © POPULLI.mk




