Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka prezantuar planin infrastrukturor të subjektit të tij politik, duke e cilësuar atë si një prioritet kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, informon POPULLI.mk
Ai ka theksuar se pa një infrastrukturë moderne, Kosova nuk mund të përparojë dhe se investimi në rrugë të reja dhe përmirësimi i atyre ekzistuese është një borxh që duhet t’ia shlyejmë vendit.
“Pa infrastrukturë rrugore, nuk ka zhvillim. Ja kemi borxh Kosovës, ta bëjmë model në rajon,” ka deklaruar Haradinaj.
Sipas programit të AAK-së, investimet infrastrukturore do të përfshijnë disa projekte madhore, ndër to:
✅ Autostrada e Dukagjinit, e cila do të lidhë Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Junikun, Deçanin, Pejën, Istogun dhe Mitrovicën.
✅ Finalizimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.
✅ Përfundimi i rrugëve kryesore: Klinë – Gjakovë, Prishtinë – Vushtrri – Mitrovicë, Prishtinë – Pejë, Deçan – Plavë dhe Prishtinë – Podujevë.
✅ Ndërtimi i rrugës së re Prizren – Tetovë, e cila do të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
✅ Unaza e jashtme e Prishtinës, për lehtësimin e qarkullimit në kryeqytet.
✅ Aksi ndërlidhës i autostradave në Duhël, për një rrjet më funksional rrugor.
Haradinaj ka potencuar se këto projekte do të ndihmojnë jo vetëm në lehtësimin e qarkullimit, por edhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik, duke e bërë Kosovën një model të infrastrukturës moderne në rajon.
“Kosova Fituese” do të thotë Kosovë me rrugë të zhvilluara dhe ekonomi të fortë”, ka përfunduar ai. / © POPULLI.mk