Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dështimit të konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, duke e fajësuar drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për situatën e krijuar, informon POPULLI.mk
Sipas Haradinajt, bllokimi nuk ka ardhur nga opozita, por nga mosrespektimi i Kushtetutës nga ana e Vetëvendosjes. Ai ka thënë se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës nuk lejojnë që një person të mbajë njëkohësisht postin e kryeministrit apo ministrit dhe të betohet si deputet.
“Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet. Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai tha se partia e tij nuk mund ta shkelë Kushtetutën, prandaj nuk e kanë votuar raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve.
“Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta,” theksoi Haradinaj. / © POPULLI.mk