16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Iniciativë e re për referendum në Kuvend

Partia politike E majta dje në Kuvend e dorëzoi nismën qytetare për referendum të detyrueshëm dhe plotësues në nivel shtetëror me pyetjen “A jeni për vazhdimin e bisedimeve me BE-në me pranimin e konkluzioneve të kuvendit nga 16 korriku i vitit 2022?”. Partia ka grumbulluar 750 nënshkrime të cilët dje me materialet e tjera i dorëzoi në arkivin e kuvendit.

Lideri i partisë E majta, Dimitar Apasiev dje në konferencë për media në Kuvend shprehu bindje se do të kenë koordinim me deputetët e VMRO-DPMNE-së për këtë çështje, por edhe siç theksoi pret që seriozisht të merren si opozitë. Ai, mes tjerash paralajmëroi edhe bllokadë të plotë në Kuvend nëse spikeri Talat Xhaferi e hedh poshtë edhe këtë iniciativë.

“Nuk presim obstruksione, nëse spikeri Talat Xhaferi merr guximin të aktrojë gjykatës kushtetues do të fillojmë me bllokadë të plotë të Kuvendit”, tha Apasiev, duke shtuar se shpresojnë se në vullnet të mirë do të kalojë kjo nismë për referendum.

LSDM-ja ende është në qëndrimin se VMRO-DPMNE-ja dhe E majta opozitare po bëjnë çmos që të pengohet rruga e shtetit drejt Bashkimit Evropian. Nga atje nuk duan ta komentojnë nismën derisa nuk e shqyrtojnë.

Deputeti nga radhët e LSDM-së, Nenad Kociq dje në pres-qendrën e Kuvendit tha se shumica qeveritare votoi për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe kulturës maqedonase në procesin e bisedimeve me BE-në.

Presidenti Stevo Pendarovski, konsideron se pyetja e partisë E majta është konfuze dhe e paqartë për qytetarët.

“Pyetja që kërkon të përdorë e Majta në deklaratën e referendumit është konfuze dhe e paqartë për qytetarët. Të njëjtën gjë e përsëris edhe në periudhën kur bëhet fjalë për referendum dhe kur VMRO-DPMNE-ja paraqiti një iniciativë të ngjashme. Jam kundër pyetjeve të tilla që tani po i publikon E Majta, të cilat përmbajnë përmbajtje konfuze, deklaroi Pendarovski.

Kryetari i Kuvendit Xhaferi më 13 shtator e hodhi poshtë iniciativën e opozitës VMRO-DPMNE për referendum për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, me arsyetimin se është antikushtetuese dhe për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare që janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj.

Nga VMRO-DPMNE atëherë vlerësuan se nisma është në përputhje me nenin 24 të Ligjit për Referendum dhe porositën se Xhaferi nuk ka bazë që ta hedhë poshtë, përderisa LSDM-ja në pushtet e mbështeti vendimin e Xhaferit sepse ata e vlerësojnë si jokushtetues.

Në ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski porositi se Qeveria është e qëndrueshme dhe shumica parlamentare mundëson funksionimin normal të saj përkundër zhvillimeve në BDI. Ai tha se nuk mund të flasë në emër të deputetëve të BDI-së, por beson se qeveria do të vazhdojë të ketë përkrahje nga tre deputetë të kësaj partie.

Për hyrje të partisë Aleanca për Shqiptarët në qeveri nuk është diskutuar me liderin e ri Arben Taravari, por ai tha se çdo mbështetje për rrugën evropiane të vendit dhe masat për përballimin e krizës ekonomike dhe energjetike dhe të gjitha sfidave të vendit është mbështetje për të cilën duhet diskutuar dhe përshëndetur.

“Në paraqitjen e fundit në Kuvend thashë se tani është koha kur duhet të bashkohemi sepse kemi përpara realizimin e synimeve strategjike të shtetit – vazhdimin e rrugës drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe mundësimin e rrugës më të mirë për t’u përballur me krizën energjetike dhe ekonomike në të cilën ndodhet edhe vendi dhe i gjithë kontinenti evropian. Nuk e kam takuar zotin Taravari, por gjithmonë kam pasur kontakte me deputetët e partisë Aleanca, tha Kovaçevski në një intervistë.

Ai nuk konsideron se ka nevojë të formohet një koalicion i gjerë në të cilin do të ishte edhe VMRO-DPMNE, si në vitin 2001, sepse, tha ai, nuk konsideron se vendi aktualisht është në krizë politike apo ushtarake.

Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristain Mickovski, në këtë moment nuk e hedh poshtë mundësinë për formimin e koalicionit të zgjeruar mes të gjitha partive parlamentare, por jo si ideja e deputetit Pavle Trajanov.

“Po, ne jemi për një koalicion të gjerë që do të çojë në shpërndarjen e Kuvendit. Le të bëjmë atë koalicion të gjerë sot dhe nesër 120 deputetë të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit dhe të caktojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përndryshe, të bashkëjetosh në të njëjtën Qeveri, jo, nuk është ashtu”, tha dje Mickoski në një emision.

Ai përsëriti se VMRO-DPMNE në këto rrethana nuk do të lejojë ndryshime në preambulën e Kushtetutës, si dhe se nuk heq dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por në kushte krize kanë vendosur të ndjekin një politikë tjetër – një politikë zgjidhjesh në vend të konfrontimeve me qeverinë. Zgjedhjet mbeten prioritet për të dhe partinë e tij, por vlerësimi i tyre është se për momentin qytetarët kanë prioritete të tjera. 

 

Të ngjajshme

Të fundit