5.8 C
Skopje
E enjte, 19 Mars, 2026

Irani i ka lëshuar paralajmërim SHBA-ve

Irani ka paralajmëruar SHBA-në që të mos i shënjestrojë anijet “Behshad” e “Saviz”, që dyshohet se shërbejnë si bazë operative për komandot iraniane
(AP) – Irani ka paralajmëruar të dielën SHBA-në lidhur me shënjestrimin e dy anijeve të mallrave në Lindje të Mesme, të cilat janë dyshuar se shërbejnë si bazë operative për komandot iraniane. Paralajmërimi erdhi pasi SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar lansuan sulme masive ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen.

Deklarata nga Irani për anijet “Behshad” dhe “Saviz” duket se po sinjalizojnë rritjen e shqetësimeve të Teheranit lidhur me sulmet amerikane në ditët e fundit në Irak, Siri dhe Jemen, të cilat shënjestruan grupet që mbështeten nga Irani.

Këto sulme, një hakmarrje ndaj vrasjes së tre ushtarëve amerikanë dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve në Jordani, që të gjitha rrjedhin nga lufta e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Kjo luftë ka përshkallëzuar tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ka ngritur frikën e shpërthimit të një konflikti rajonal.

Në sulmet në Jemen gjatë orëve të hershme të së dielës u goditën gjashtë provinca të Jemenit që mbahen nga rebelët Houthi, përfshirë edhe kryeqendrën Sanna. Houthit nuk kanë dhënë ndonjë vlerësim të dëmeve, por SHBA-ja ka thënë se ka goditur arsenale raketash, vendet për lëshim të raketave dhe po ashtu helikopterët e përdorur nga rebelët.

“Këto sulme s’do t’i dekurajojnë forcat jemenase dhe shtetin që të ruajnë mbështetjen për palestinezët përballë pushtimit sionist dhe krimeve”, tha zëdhënësi i Ushtrisë së Houthive, gjenerali Yahya Saree. “Sulmet ajrore të agresorëve s’do të mbeten pa përgjigje”.

Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka paralajmëruar Houthit se “do të vazhdojnë të përballen me pasoja nëse nuk i ndalin sulmet ilegale”. Këtë mesazh e ka dërguar edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron.

“Behshad” dhe “Saviz” janë të regjistruara si anije komerciale mallrash me një kompani me bazë në Teheran, të cilin Thesari i SHBA-së e ka sanksionuar si front për linjat e transportit ujor shtetëror të Iranit.

“Saviz”, e më pas “Behshad” kanë bredhur për vite në Detin e Kuq pranë Jemenit, duke dyshuar se po shërbenin si pozicione spiune për Gardën Revolucionare paraushtarake të Iranit.

Në vitin 2017, Arabia Saudite e përshkroi “Savizin” si një bazë detare dhe pikë transporti armësh për Gardën, duke thënë se është e mbushur ajo anije me ushtarakë. U publikuan edhe pamje të armëve që gjendeshin në anije

Në deklaratë të dielën nga Ushtria e Iranit, është thënë se “Behsadhi” po ndihmon një mision iranian për të “luftuar piraterinë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit”.

Pak para fillimit të fushatës së re të sulmeve ajrore të SHBA-së, “Behshad” shkoi në drejtim të jugut të Gjirit të Ademit. Tash është ankoruar në Gjbuti në Afrikë Lindore, afër një baze ushtarake kineze atje.

Deklarata e Iranit përfundon me një paralajmërim me një montazh të pamjeve të anijeve ushtarake amerikane dhe një flamuri amerikan.

“Ata që angazhohen në aktivitete terroriste kundër ‘Behshadit’ apo anijeve të ngjashme rrezikojnë rrugët detare ndërkombëtare, sigurinë dhe marrin përsipër përgjegjësinë globale për rreziqet e mundshme ndërkombëtare në të ardhmen”, thuhet në video mesazhin.

“Saviz”, që tash gjendet në Oqeanin Indian afër ku SHBA-ja pretendon se dronët iranianë shënjestruan së fundi anijet, është sulmuar më parë. Në vitin 2021, një shpërthim i mundshëm i një mine dëmtoi anijen duke detyruar Iranin që ta kthejë prapa. Ai sulm, që dyshohet se u krye nga Izraeli, është pjesë e një lufte më të gjerë në hije mes Teheranit e Izraelit pas dështimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit.

 

Të ngjajshme

Të fundit