Ish-lojtari i Interit dhe Romës në Serinë A, Radja Nainggolan, i cili vetëm pak ditë më parë nënshkroi me Lokeren-Temse, është arrestuar sot në Belgjikë. Mesfushori 36-vjeçar, sipas mediave lokale dyshohet se është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Policia federale në Bruksel kreu këtë mëngjes disa kontrolle pas një hetimi për importimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë përmes portit të Antwerpen, dhe rishpërndarjen e drogës në Belgjikë.
Për momentin Nainggolan është duke u marrë në pyetje. Vetëm pak ditë më parë, pikërisht mbrëmjen e së premtes, mesfushori shënoi në ndeshjen debutuese ndaj Lierse në ndeshjen e vlefshme për Serinë B në Belgjikë.
Kujtojmë se në gusht të vitit 2021, Radja Nainggolan u ndalua nga policia e Antëerp për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe shpejtësi të lartë.