Në një postim në Facebook njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, theksoi se ndryshimi, megjithëse i vështirë dhe i ngatërruar në fillimet e tij, është gjithmonë i jashtëzakonshëm në fund. Ai u shpreh i bindur se askush nuk mund ta ndalë më këtë proces, informon POPULLI.mk
“Ndryshimi është i vështirë në fillim, i ngatërruar në mes dhe i jashtëzakonshëm në fund. Por askush s’e ndal dot. As oportunistët, as demagogët që refuzojnë të ndryshojnë, as politikanët e varur dhe as oligarkët që duan ta mbajnë peng politikën,” – theksoi Mexhiti.
Ai nënvizoi se ndryshimi është thirrja e popullit dhe kur populli bashkohet, ai ndodh me forcën e tij të pandalshme.
“Ndryshimi vazhdon, bashkë me qytetarin e ndershëm, bashkë me aktivistin e drejtë dhe militantin e sinqertë. Fryma e ndryshimit bashkon. Sepse ndryshimi VLEN,” përfundoi ai, duke uruar të gjithëve një ditë të bukur.
Deklarata vjen në një moment kyç për VLEN-in i cili po kërkon të sjellë një qasje të re në politikë, të bazuar në ndershmëri, transparencë dhe përfaqësim të denjë të qytetarëve. / © POPULLI.mk




