10.8 C
Skopje
E martë, 23 Prill, 2024

Jeta dhe vepra e Rexhep Mitrovicës: Duhet t’ia lëshojmë rrugën punës, jo fjalëve të thata

Nga: Fazli Hajrizi

Rexhep Mitrovica, është një figurë madhore, komplekse e dramatike, luftëtar i orëve të para për krijimin e Shqipërisë etnike, personalitet i shquar dhe i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar; intelektual i mirëfilltë, drejtues e edukator, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, deputet i Pejës e Gjakovës në Parlamentin Shqiptar, ministër i Arsimit (1922-1924), reformator i arsimit kombëtar, kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë, kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Kryeministër i Shqipërisë.

Këtë njeri të qetë e të kulturuar, të urtë, fjalëpakë e gojëmbël, me drejtësi të kulluar, që mendjen e ndritur e zemrën e zjarrtë, fjalën e shenjtëruar e veprën e pavdekshme ua kushtoi atdheut e kombit, literatura historike gjatë periudhës mbi 50-vjeçare e dha në mënyrë të njëanshme, duke e quajtur: “bashkëpunëtor të nazizmit, tradhtar, pijanec, tuberkuloz” dhe qeverinë e tij si kolaboracioniste.

Ai, krahas nacionalistëve të tjerë nga Kosova, si: Xhafer Deva, Bedri Gjinaj, Dr. Xhelal Mitrovica, Bedri Pejani, Selman Riza, Ahmet Gashi, Ymer Berisha, Shefqet Shkupi, Luan Gashi, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e shumë të tjerë, dha një ndihmesë të shquar në mbajtjen gjallë të nacionalizmit shqiptar, të kulturës, arsimit dhe rezistencës kombëtare.

Organizator për dëbimin e turqve nga Shqipëria

Duke shfrytëzuar Revolucionin xhonturk, pas 20 korrikut 1908, d.m.th., pas shpalljes së Konstitucionit, u hapën shkolla në gjuhën shqipe, si në Elbasan, Filat, Frashër etj. Duke hapur shkolla, duke shkruar libra në gjuhën shqipe, vetëm me alfabetin latin, synohej të mbahej i bashkuar populli ynë pa dallim feje, regjioni etj. Fill pas Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908), ku u miratua Alfabeti, ky libër i shenjtë i atdhedashurisë, Rexhep Mitrovica, së bashku me Sali Gjukën, i hyri punës për dhënien e mësimit në shkollat shqipe me këtë alfabet.

 

Librat që u botuan me alfabetin latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, kalonin dorë më dorë. Deputetët shqiptarë, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga e, ndonjë tjetër, zhvillonin një aktivitet të dendur në Parlamentin osman në Stamboll, e në qendra të ndryshme. Rexhep Mitrovica ishte i njohur me veprimtarinë e tyre, po edhe me veprimet e hapura reaksionare të turqve të rinj të cilët goditnin pa mëshirë e në mënyrë tinëzare klubet, shkollat kombëtare, patriotët dhe lëvizjen kombëtare, që u masovizua në të gjitha krahinat shqiptare.

Ai vuri kontakte me rrethet patriotike dhe komitetet e fshehta për organizimin e kryengritjeve të armatosura kundër regjimit osman. Sulmit të luftëtarëve shqiptarë të rrethit të Mitrovicës, Vushtrrisë e Podujevës, në fillim të prillit 1910 kundër garnizonit turk në Prishtinë, i parapriu aksioni i pajtimit të gjaqeve. Këtë aksion të pajtimit të gjaqeve dhe kryengritjen e armatosur, i përkrahu me tërë qenien e tij, Rexhep Mitrovica.

Ai shprehu njëkohësisht domosdoshmërinë e një kryengritjeje të përgjithshme, mbështeti Memorandumin e Gërçës të miratuar më 23 qershor 1911, në Malësinë e Madhe, 12 pikat e tij të paraqitura nga Kuvendi që iu dërguan Portës së Lartë, si: njohjen e kombit shqiptar, bashkimin e vilajeteve shqiptare, vendosjen e një administrate me nëpunës shqiptarë, lirinë e plotë të mësimit të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave kombëtare.

Memorandumi i Gërçës ngriti peshë shpirtrat dhe zemrat e atdhetarëve, duke i dhënë fund qëndrimit pritës të disa komiteteve në krahinat tjera dhe, në rrafshin politik të viteve 1912-1913, ai çonte në realizimin e kërkesave të shqiptarëve, në krijimin e një krahine autonome shqiptare.

Ndër të parët, që nënshkroi peticionin për autonomi drejtuar prefektit të Mitrovicës, është pikërisht Rexhep Mitrovica, i cili propagandonte idenë se për të siguruar autonominë e Shqipërisë, lëvizja kombëtare duhet të kthehet në kryengritje të përgjithshme. Rexhep Mitrovica shprehte domosdoshmërinë e formimit të një lidershipi udhëheqës për lëvizjen kombëtare, sepse, sipas tij, asaj i mungonte drejtimi dhe organizimi i nevojshëm.

Në detin e hapur e plot tallaze, anija pa timonier shpejt mund të fundoset. Edhe në këto kohë të trazuara, popullit shqiptar i duhen prijës të shkathët, që do ta drejtojnë kah qëllimi. Sipas tij, faktori i brendshëm është kurdoherë imponues, mirëpo, më parë, duhet të sigurohet ndonjë aleat i jashtëm. Në vetëdijen e tij ishte ngulitur thellë mendimi se pavarësia është e vetmja alternativë për mbrojtjen e qenies dhe trungut kombëtar.

Lufta për pavarësinë

Mitrovica iu bashkua Hasan Prishinës, Mehmet Pashë Derallës, Ali Riza Kosovës, duke ideuar një varg betejash kundër Perandorisë dhe duke i paraprirë nëntorit të lavdishëm të vitit 1912. Pas Kuvendit të Junikut (12 maj 1912) kryengritja nisi të përhapet me shpejtësi nga Mitrovica, deri në Prevezë. Emri i Rexhep Mitrovicës u bë i njohur në tërë Kosovën edhe për shpirtin e paepur për besnikërinë dhe devocionin ndaj ndjenjës nacionaliste.

Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, për shkaqet që dihen, përfundoi pa i arritur plotësisht objektivat e caktuara. Forcat serbe pushtuan Kosovën dhe përparuan drejt Elbasanit e Durrësit për të dalë në det. Shpallja e pavarësisë ishte bërë e domosdoshme, pra shpëtimi në independencë ishte zgjidhja më e drejtë me këtë akt madhor, mëvetësia e Shqipërisë, ekzistenca e saj kombëtare e shtetërore, do të ishte fakt i kryer, përpara Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike.

Nga Shkupi e Mitrovica, deri në Durrës e Vlorë

Pavarësinë e kërkonin shqiptarët e të gjitha krahinave që nga Mitrovica e Prishtina, Shkodra e Shkupi, Tetova e Ulqini deri te Gjirokastra, Preveza e Janina. Kështu, më 14 tetor 1912, në Shkup që ishte kryeqendër e vilajetit të Kosovës, atdhetarët shqiptarë organizuan një tubim ku vendosën që të mbahet një kuvend kombëtar i cili do të merrte vendime për fatin e atdheut të rrezikuar. Në këtë kuvend morën pjesë Rexhep Mitrovica, Mit´hat Frashëri, Bedri Pejani, Sali Xhuka etj. Sipas vendimeve të Kuvendit të Shkupit, në tërë hapësirën shqiptare filloi zgjedhja e delegatëve për në Kuvendin Kombëtar.

Hasan Prishtina, mendonte se akti i pavarësisë së Shqipërisë të bëhej në Prizren. Më 16 tetor, Rexhep Mitrovica, Sali Xhuka, Bedri Pejani e Mit´hat Frashëri, u nisën me tren për në Mitrovicë, ku në këtë kohë kishte filluar shpërndarja e armëve. Nga Mitrovica në Pejë, udhëtuan me një qerre të mbuluar. Pas Pejës, ku qëndruan disa ditë, vizituan Gjakovën, një nga qendrat më të rëndësishme të Kosovës. Aty takojnë Isa Boletinin. Nga Gjakova, kalojnë nëpër Qafë të Prushit. Në fshatin Arnë, takojnë Ramadan Zaskocin. Disa ditë i kalojnë në Reç, Mirditë, te kulla e Oroshit, ku takojnë imzot Preng Doçin, pjesëmarrës aktiv të Lidhjes së Prizrenit, themelues i shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër.

Zbresin në Luginën e Fanit, në Rubik, pastaj në Tiranë e Durrës, ku paria ngriti zërin, për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë. Meqë Durrësi ishte i pasigurt për kuvend, u përcaktua Elbasani. Më 21 nëntor 1912, Rexhep Mitrovica, së bashku me Mit´hat Frashërin, Sali Xhukën e Bedri Pejanin, arritën në Elbasan, duke shprehur bindjen e tyre se ky qytet, është më i përshtatshëm për këtë akt madhor.

 

Meqë Prizreni dhe Elbasani ishin të rrezikuara nga pushtuesit serbë, e as Durrësi nuk u gjet i përshtatshëm, delegatët u nisën për në Vlorë. Rexhep Mitrovica porositi bashkatdhetarët që të qëndrojnë me gjithë barbarizmat e shkijeve e të bashkohen me gjithë armiqësitë e përçarjet që mbollën ata e veglat e tyre.

Vlora u caktua për kuvend, sepse paraqiste vend më të sigurt e më të përshtatshëm, që të korrespondohej me Evropën. Duke kaluar nëpër Myzeqe, pastaj duke zbritur Ardenicës, takuan karvanin e kalorësve, që vinte nga Durrësi, me delegatët e Bukureshtit, Durrësit, Tiranës, Kavajës etj., me në krye Ismail Qemalin.

Pas pak ditësh, në Vlorë arritën edhe delegatë të Beratit, Janinës, Gjirokastrës, Çamërisë etj. Me iniciativën e Ismail Qemalit dhe të atdhetarëve tjerë, më 28 nëntor u thirr Kuvendi i Vlorës, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe për të formuar Qeverinë e saj të Përkohshme.

Si e ngritën flamurin në Vlorë?

Kosova, duke qenë e pushtuar nga serbët, u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës nga Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka e Bedri Pejani, delegatë të Gjakovës, Pejës e Gucisë. Një ditë më vonë, mbërritën në Kuvend edhe Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Musë Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza Beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga etj., të cilët u pritën me gëzim të madh nga popullsia dhe delegatët e kuvendit. Delegatët e nënshkruan aktin historik të kësaj ngjarjeje kulmore. Midis nënshkruesve, ishin edhe Rexhep Mitrovica, Mit´hat Frashëri, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka, të cilët erdhën nga Shkupi në Vlorë, bashkërisht.

Është e vështirë të përfytyrohet edhe sot udha mbi dhjetë ditë në këmbë, nëpër male e dhiare të vështira, nëpër të cilat kaluan këta atdhetarë për të arritur deri në Vlorë! Serbët kishin ngritur shumë kurthe e prita. Nacionalisti i flakët Ferid Vokopola, në kujtimet e tij, lidhur me ato ditë të vështira, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes” (viti II, nr. 6-7 të dt.30 janar e 1 shkurt 1914), shkruan: Vjen shoku im, i ndjeri Nebi Sefa, para se të nisesh për Kavajë, e më lajmëron se Komanda Otomane, ka burgosur në hotel të Shaqir Beun, delegatët nga Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani, me një patrullë pesë vetash, për t’i liruar …!

Dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë, e botuan gazeta “Përlindje e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, si dhe më vonë edhe Lef Nosi, në përmbledhjen e dokumenteve historike, por regjimi komunist i Enver Hoxhës i falsifikoi këto dhe shumë dokumente të tjera, duke mbuluar kështu emrat e Rexhep Mitrovicës, Mit´hat Frashërit, Lef Nosit etj., jo vetëm nga dokumenti përkatës, po edhe nga historia. Emri i Rexhep Mitrovicës, u fshi nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1908-1912, po edhe nga ato të mëvonshmet, sepse regjimit komunist nuk i konvenonte që ai të figuronte si protagonist i Kongresit të Manastirit, i Kuvendit të Vlorës etj.

Po në këtë gazetë dhe po në këtë numër, është shkruar se si në çeljen e Kuvendit të Madh të Vlorës, para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike, pas verifikimit të mandatit, foli edhe i respektuari Rexhep Mitrovica: Si u mbaruan këto punë, zoti Rexhep Beu, mori fjalën e tha, që si kryetar të kuvendit, të zgjedhet Ismail Qemal Beu, si shkronjës i parë Luigj Gurakuqi, e shkronjës i dytë z. Shefqet Bej Daiu.

Delegatët e pëlqyen këtë kërkim dhe të propozuarit me të përplasur duarsh”. Ismail Qemalit i hyri në zemër ky atdhetar. E mori pranë vetes, sepse e respektonte zgjuarsinë e tij. Rexhepi, 24 vjeç, i shpjegoi për situatën në Kosovë duke i folur me mallëngjim edhe për Mitrovicën, vendlindjen e tij.

Në tubimet e protestat që u organizuan për të kundërshtuar politikën hegjemoniste të serbëve, grekëve e malazezve, aktet gjenocidiale të serbëve në Kosovë e të grekëve në jugun e Shqipërisë, ai ngriti zërin fuqishëm, duke demaskuar politikën diskriminuese edhe në faqet e shtypit evropian të kohës. U rreshtua në radhët e para të luftëtarëve, që luftuan për etninë shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Vlorë, pos me Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Mit´hat Frashërin, Bedri Pejanin, Sali Gjukën, u njoh edhe krijoi miqësi, si të thuash me të gjitha personalitetet e atyre ngjarjeve dhe ditëve të shpalljes së pavarësisë, si me; Dom Nikollë Kaçorin, nënkryetar, Mehmet Pashë Derallën, ministër i Luftës, Petro Pogën, ministër i Drejtësisë, Myfit Bej Libohovën, ministër i Punëve të Brendshme, Abdi Bej Toptanin, ministër i Financave, Pandeli Calën, Lef Nosin, Riza Bej Jakovën, Syrja Vrijonin, Musa Hekalin, Alem Tragjasin, Mehmet Radhimën, Qazim Kokoshin, Ahmet Mersinin, Cano Sharrën etj…!

Kush ishte Rexhep Mitrovica?

Rexhep Mitrovica lindi më 1888, në qytetin buzë Lumit të Bardhë, në një familje atdhetare. E pa dritën e jetës në kohën kur Lidhja Shqiptare u shua me gjak, kur vendimet e Traktatit të Berlinit po zbatoheshin në dëm të shqiptarëve, në kohën kur plagët e muhaxherëve të ardhur nga rrethet e Leskocit, Nishit etj., po kullonin dhembje e rrëfimet e tyre trondisnin gur e dru.

Erdhi në këtë botë në kohën kur jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte shtrirë edhe në Mitrovicë dhe si synim parësor kishte lirinë dhe pavarësinë e trojeve shqiptare. Në vendlindje e kaloi fëmijërinë. Mësimet e fesë dhe njohuritë fillestare të diturisë, i mori në gjuhën turke, ndonëse në Mitrovicë flitej një gjuhë e pastër dhe e bukur shqipe. Si fëmijë i zgjuar, ai përcolli me vëmendje bisedat e miqve, që silleshin rreth Shqipërisë, fatit të saj.

 

Ato lanë gjurmë në shpirtin dhe temperamentin e heshtur të djaloshit me shikim ëndërrimtar. Kudo e kado që e përcollën valët e jetës, në zemër e në mendje, e mbajti qytetin e bukur e të pastër. Shpesh shkruante me mall për të, për lumin, për kalanë madhështore, për Trepçën e artë, rrëfente me krenari për luftëtarët trima e racën e stralltë shqiptare që banonte në kufirin verior të Shqipërisë etnike.

Atëbotë në Mitrovicë, vepronte dega e Komitetit të Lidhjes që qeveriste vendin dhe organizonte luftëra të armatosura, për të krijuar Shqipërinë e bashkuar. Forcat e armatosura të Lidhjes kishin çliruar Mitrovicën më 25 janar 1881. Këtë detaj e përmendnin me krenari banorët e këtij mjedisi. Rexhep Mitrovica, i cili ishte një vërejtës i kujdesshëm; çdo gjë regjistronte në kujtesën e tij të jashtëzakonshme. E dallonte dëshira e madhe për të mësuar. Fill pas mësimeve në vendlindje, mori rrugën për në Shkup, në këtë qendër të rëndësishme patriotike.

 

U regjistrua në gjimnaz. Për mbiemër mori emrin e qytetit të lindjes. Ishte njëri ndër nxënësit më të zellshëm e më të talentuar. Serioz e studios siç ishte, menjëherë tërhoqi vëmendjen e mësimdhënësve, të cilët tek ai shihnin shpresën e atdheut, dhe të shokëve, të cilët te bashkëmoshatari i tyre shihnin mikun besnik e të sinqertë. Studionte me zell të madh, duke qenë kështu i bindur se atdheu, në agun e shekullit të ri, ka nevojë shumë për penë e dituri, që një ditë do t’i paraprinin jehonës së armëve të lirisë.

Si gjimnazist i vihet studimit të disa disiplinave: historisë, gjeografisë, matematikës, mësimit të gjuhëve të huaja etj. Lexonte literaturë artistike, sidomos autorët klasikë e bashkëkohorë. Veprat e rilindësve i lexonte me pasion. U vu në kërkim të vetvetes, në kërkim të zbulimit të rolit që i kish caktuar fati. Librat, për të cilët kishte një pasion të veçantë, u bënë miqtë e tij më të mirë.

Si nxënës i gjimnazit, nën ndikimin e rilindësve tanë, filloi edhe vet punën e në drejtim të rritjes së ndërgjegjes kombëtare. Ndonëse ende i ri, u bë i njohur dhe i respektuar edhe në rrethet intelektuale. U njoh me shkrimet e Mit´hat Frashërit, të cilat i pëlqente shumë.

Pikëpamjet e tij se vetëm me dituri, mund të bëjmë punë të mëdha, se shqiptarit, aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma; se për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb etj., i mbështeste me tërë qenien. Së bashku me Bedri Pejanin e Sali Gjukën, më 1908, udhëhoqi një fushatë propagandistike, si parapërgatitje për Kongresin e Manastirit.

Tubimin historik të Manastirit, ai nuk e quante thjesht një mbledhje gjuhëtarësh, po një Kongres kombëtar për çështjen më të rëndësishme të lëvizjes sonë. U arrit një shkallë e lartë e ndërgjegjësimit kombëtar, njësimi i abece-ve, i dëshmuan botës, për qenien e kombit shqiptar, i cili, edhe pse i pranguar, perspektivën e vet e shihte vetëm kah perëndimi.

Ndërgjegjësimin e bashkimin e shqiptarëve e shihte si shpresën e vetme përballë rrezikut. Ideja e lirisë që ishte trajtuar në mënyrë të përgjithshme nga rilindësit tanë, te Rexhep Mitrovica merr trajtim konkret dhe bashkëkohor. Ai është kundër lirisë primitive me pushkë në dorë dhe me vdekje në dhëmbë, që është e egër dhe e dhembshme, e rrezikshme, por për një liri që ka hapësira dhe mundësi të jashtëzakonshme.

Në dekadën e parë të shekullit XX-të në Shkup, në Manastir e në qytete të tjera, lëvizja kombëtare u gjallërua shumë dhe po shënonte një shkallë të lartë të zhvillimit. U themeluan shoqëri, klube kulturore, të cilat u kthyen në qendra për organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kombëtare.

Rexhep Mitrovica, kryetar i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes II-të të Prizrenit

Pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943, në Shqipëri u vendosën trupat gjermane të Korpusit XXI e XXII. Gjermanët nderuan Shqipërinë e çliruar, indipendentë e të lirë, duke shpallur veten, garant të pavarësisë së saj.

Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, më 11 shtator 1943, rishpalli pavarësinë. Në krye të këtij Komiteti, u emërua Ibrahim Biçaku, i biri i Aqif Pashë Elbasanit. Në këtë kohë, Xhafer Deva udhëtoi menjëherë për në Tiranë, me një qëllim të përcaktuar: të çlironte nga kampi i Porto-Romanos afër Durrësit, disa prijës të njohur, si Mehdi Frashërin, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Dr. Xhelal Mitrovicën etj. Pas lirimit, më 13 shtator 1943, këta personalitete formuan një përfaqësi për të biseduar në emër të Kosovës, me përfaqësuesit e dalluar të Shqipërisë së 1913-ës. U formua grupi prej 22 vetash, i cili hyri menjëherë në bisedime me përfaqësuesin e plotfuqishëm të shtetit gjerman, Dr. Herman Nojbaher (Neubacher).

Nacionalistët shqiptarë aspironin të ruanin bashkimin e të gjitha viseve shqiptare. Për këtë arsye, ata u organizuan politikisht për t’i realizuar synimet kombëtare. Duke parë se popullata shqiptare në disa vise të Kosovës, sidomos në veri të saj, po kërcënohej seriozisht nga sulmet e çetnikëve nacionalistë serbo-malazezë dhe nga bandat komuniste serbo-malazeze-maqedone, me niciativën e Xhafer Devës, Asllan Boletinit e Bedri Gjinajt, që të tre nga Mitrovica, pastaj të Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Pjetër Vuçajt nga Prizreni, Tahir Zajmit nga Gjakova, Qazim Bllacës nga Suhareka etj., u shtrua nevoja për mbajtjen e një mbledhjeje pikërisht në Prizren dhe zgjedhjes së një Këshilli Ekzekutiv i cili do të kujdesej për qeverisjen e vendit përkohësisht deri në formimin e ndonjë organi qeveritar, që do të dilte nga vullneti i përgjithshëm popullor.

Kjo mbledhje, sipas tyre, do të jetë në frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe do të quhet Lidhja e Dytë e Prizrenit. Mbledhja u mbajt më 16 shtator 1943. Kuvendi u pagëzua njëzëri: “Lidhja e Dytë e Prizrenit”. U zgjodh kryesia në përbërje: Musa Shehu (kryetar), Aqif Blyta (nënkryetar), Rexhep Krasniqi (nënkryetar) dhe Bedri Gjinaj (sekretar).

Në kuvend u bisedua për çështjen e shpalljes së vullnetit të popullit, për bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit, me shtetin shqiptar, për bashkimin e prefekturës së Mitrovicës me Shqipërinë, meqë ajo me nënprefekturat e Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri, ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administrativisht bënin pjesë nën shtetin serb; për organizimin ushtarak të popullit dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijve etnikë; për krijimin e një Komiteti Qendror, me seli në Prizren dhe të nën-komiteteve në të gjitha qendrat e tokave të liruara, për të drejtuar veprimtarinë e nevojshme të qeverisjes dhe mbrojtjes së vendit; për përpilimin dhe aprovimin e Kushtetutës së organizatës Kombëtare Lidhja e Dytë e Prizrenit etj.

Në ditën e dytë, pra më 18 shtator 1943, në sallën e shkollës fillore “Bajram Curri”, ku mbahej kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, hynë Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Xhafer Deva dhe Xhelal Mitrovica. Me të hyrë në sallë, delegatët u ngritën në këmbë dhe i përshëndetën me duartrokitje, duke thirrur emrat e tyre me radhë. Rexhep Mitrovica, i emocionuar nga atmosfera festive që mbretëronte në qytet, e sidomos në sallën e dekoruar me flamuj kombëtarë e fotografi të personaliteteve kombëtare, në diskutimin e tij para delegatëve, ndër të tjera kërkoi që t’i jepet rëndësi e madhe, dy pikave kryesore, siç janë: Organizimi ushtarak për mbrojtjen e vendit kundër ndonjë masakrimi eventual të popullsisë nga çetat subversive, regjistrimi i popullsisë së Kosovës, që deri tash asht neglizhua prej qeverive tona.

Rexhep Mitrovica shpjegon gjerë e gjatë rolin që do të luante në Konferencën e Paqes, regjistrimi dhe dokumentet që provojnë se Kosova është shqiptare. Ai u bën apel sidomos arsimtarëve për realizimin e regjistrimit të popullsisë: Duhet t’ia lëshojmë rrugën punës, e jo fjalëve të thata, në qoftë se duem me jetue si shtet, si komb, ose si njeri. Lypset kujdesje të mëdha e duhet derdhun shumë mundime, në të mbledhunit e dokumenteve që kanë lidhje me interesin e jetës sonë të përbashkët. Fundi i luftës, duhet të na gjejë krejt kompakt me të gjitha përgatitjet e duhuna, për me ju ba ballë çdo kërcënimi a intrige politike, që mund të kërkojë sigurimi i lirisë sonë të përjetshme.

Ky fjalim i zjarrtë, që u përshëndet ngrohtë nga delegatët. Veprimtaria e tij e mëhershme mjaft e begatshme, vuajtjet që përjetoi në Porto-Romano etj., ishin arsyet që i shtyn delegatët, më 23 shtator 1943, ta zgjedhin kryetar të Komitetit Qendror, t’i japin besimin që të udhëheqë Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Kryesia e Komitetit Qendror, përbëhej prej shtatë vetash. Ky Komitet Qendror, u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica (18-26 shtator 1943), së dyti nga shkollari e politikani Bedri Pejani (12 tetor 1943 – 26 korrik 1944), dhe së fundi, nga intelektuali poliglot, Xhafer Deva (fundi i korrikut 1944 – 19 nëntor 1944). Komiteti Qendror, nën udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës, organizoi komitetet qendrore të prefekturave të Prizrenit, të Pejës, të Mitrovicës, si dhe disa komitete rrethore nëpër nënprefektura.

Lidhja e Dytë e Prizrenit e kryesuar nga Komiteti Ekzekutiv i zgjedhur nga Kuvendi i shtatorit 1943 iu përvesh punës për organizimin e luftës kundër shkaut në bashkëpunim me qeverinë e Tiranës, e cila ishte bërë një qeveri kombëtare qysh se mori fund aneksimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Kosovë kreu detyrën e qeverisë, në bashkëpunim të ngushtë me nëpunësit e emëruar nga qeveria e Tiranës.

Kryeministri Rexhep Mitrovica dhe qeveria e tij

Rexhep Mitrovica dhe shokët e tij krijuan Shqipërinë etnike, shpallën pavarësinë dhe neutralitetin e saj. Më 14 shtator 1943, në Tiranë, u formua një këshill provizor prej 22 vetash i cili shpejt zgjodhi një Komitet Ekzekutiv Provizor prej shtatë vetash, që kryesohej nga Ibrahim Biçaku. Ky Komitet Ekzekutiv Provizor do të drejtonte punët e shtetit; deri në formimin e një qeverie legale do të bënte shpalljen publike mbi gjendjen në Shqipëri, të njohur nga Berlini si shtet të pavarur, do të marrë masa për të sjellë rregull e qetësi në kryeqytet e në vendet e tjera, do të pranojë dorëheqjen e qeverisë së kohës të kryesuar nga Eqrem Libohova, do të ndikojë në lirimin e dymijë të burgosurve politik, që mbaheshin në kampin Porto-Romano në Durrës etj.

Berlini e pranoi qeverinë, nuk mori masa të imponimit të një administrate ushtarake që zakonisht e karakterizon sundimi e zaptimi i huaj, në kohë lufte. Organet e sigurimit ushtarak gjerman, vazhduan të mbajnë qëndrim të mos përzierjes në çështjet e brendshme shqiptare. Pushtuesit gjerman nuk arritën të shfrytëzojnë prodhimet e ekonomisë shqiptare. Në saje të pasurisë bujqësore-blegtorale të Kosovës, në Shqipëri kishte një bollëk të jashtëzakonshëm në gjëra ushqimore dhe në mallra industriale. Ushtarët gjermanë ishin të detyruar që të blejnë mallra në tregun shqiptar, me franga shqiptare.

Shpallja e Këshillit të Regjencës

Më 16 tetor 1943, u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës”, të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, Anton Harapi, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943, Regjenca emëroi qeverinë me kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e ministrit të Kulturës Popullore. Asambleja Kombëtare e përgjithshme, që përbëhej nga përfaqësues të të gjitha viseve të Shqipërisë dhe atyre të përtej-kufijve të vitit 1913 – pra kurrë në historinë shqiptare nuk ishte përfaqësuar nga të gjitha krahinat që flasin gjuhën shqipe – shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe neutralitetin e saj.

Bashkëpunimi i kryeministrit me gjeneralin gjerman, për Evropën Juglindore, Nojbaher, në fillim jepte rezultate të kënaqshme për kapërcimin e vështirësive të shumta me të cilat po ballafaqohej populli shqiptar. Ish-deputeti i Parlamentit të parë demokratik shqiptar, ish-ministri për Arsim, pjesëmarrësi në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i parë i Lidhjes Popullore Shqiptare në Mitrovicë, kryetari i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nacionalisti dhe personaliteti i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare, që u sakrifikua shpesh për t’i shërbyer momentit kritik në të cilin po kalonte kombi, Rexhep Mitrovica, formoi kabinetin e tij që kishte në përbërje mjaft personalitete me edukatë shkollore të lartë, që nuk ishin vegla të fuqisë së huaj, me këtë formacion:

Rrok Kolaj, ministër i Drejtësisë, Xhafer Deva, ministër i Punëve të Brendshme (shtator 1943 – qershor 1944), Ago Agaj, ministër i Ekonomisë, Sokrat Dodbiba, ministër i Financave, Musa Gjylbegaj, ministër i Botores, Kolë Tromara, ministër i Kulturës e Propagandës, Eqrem Çabej, ministër i Arsimit, Bahri Omari, ministër i Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca e Ernest Çoba – nënsekretarë të shtetit. Qeveria e tij kishte nën administrimin e vet, pjesën më të madhe të Kosovës të bashkuar me Shqipërinë. Ajo nuk kishte përfaqësimin e asnjë force politike, ose konsensusin e forcave politike kryesore që dominonin skenën luftarake në Shqipëri, përkundrazi, përfaqësonte kombin shqiptar, deri në Mitrovicë, mbështetej brenda vendit dhe premtonte se do të siguronte normalitetin në kushte të pushtimit, në mënyrë që Shqipëria mos të dilte e shkatërruar nga lufta.

Partia Komuniste, e denonconte qeverinë e Rexhep Mitrovicës, duke e quajtur; “qeveri kolaboracioniste, qeveri kukull naziste, tradhtare të idealeve kombëtare” etj. Zjarri i luftës vëllavrasëse po ndizej dhe atij më shumë po i frynin Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi, përmes disa komunistëve shqiptarë. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave, në një letër që ua dërgonte komunistëve shqiptarë, të udhëhequr nga Dushan Mugosha e Enver Hoxha, ndër të tjera, me cinizëm, thuhej: Të ngresh çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, do të thotë t’u japësh dorën reaksionarëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe vetë armikun…! Jugosllavia e re që po ndërtohet, do të jetë një vend i kombeve të lira dhe, si rrjedhim, nuk do të ketë vend për shtypje kombëtare të pakicave shqiptare. (Rexhinald Hilbert, libri Fitorja e Hidhur, f.12).

Dorëheqja dhe largimi në Kosovë

Rexhep Mitrovica, duke parë se qeveria e tij nuk po ia dilte të ruante normalitetin dhe neutralitetin, nuk po arrinte mirëkuptimin kombëtar, e as të shpëtonte kombin shqiptar nga masakra e vendin nga lufta civile, duke parë se komunistët ishin dalldisur gjer në atë masë, sa do të fillojë lufta vëllavrasëse, duke mos dashur që të jetë bashkëpjesëmarrës të krimit e përgjegjës përpara historisë, vendosi të japë dorëheqje. Pas manipulimeve të ndryshme politike, sabotimeve që bëheshin për formimin e një qeverie të fortë, për konsolidimin e saj, së bashku me Xhafer Devën dhe grupin kosovar e pa të arsyeshme që të kthehen në Prizren, me qëllim që të mbrojnë Kosovën, që tashmë ishte bërë pikë e sulmeve të koncentruara serbo-malazeze, çetnike e komuniste.

Rexhep Mitrovica qëndroi pak kohë në Prizren dhe pastaj vizitoi disa qendra të tjera të Kosovës, si Gjilanin, Pejën dhe Mitrovicën. Në mesin e nëntorit 1944, për arsye të rrethanave të luftës botërore, Lidhja e Dytë e Prizrenit detyrohet të pezullojë veprimtarinë në atdhe, për të vazhduar misionin e vet në mërgim. Para largimit, Komiteti Qendror ftoi një mbledhje ku morën pjesë: Musa Shehu, Sheh Hasani, Jonuz Shahsivari, Lukë Simon Mjeda, Ahmet Suhareka, Kemal Karahoda, Pjetër Vuçaj, avokat Esat Berisha, avokat Sokol Dobroshi, Dr. Xheladin Deda, Dr. Durmish Prizreni etj. U formua një komision i përkohshëm për të siguruar qetësinë në qytet. U shpreh vullneti e bindja e disave se, për arsye të shumta, anëtarët e Komitetit Qendror, do të largohen nga Kosova, për të vazhduar përpjekjet për liri të popullsisë shqiptare të Kosovës, në mërgim.

Para largimit nga Prizreni, përfaqësuesit e Komitetit Qendror në përbërje: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica, që nominalisht përfaqësonin Këshillin e Lartë të Regjencës në Kosovë, me shpresë të zbarkimit të pritur të aleatëve të perëndimit në Ballkan, kishin ngarkuar një intelektual të njohur shqiptar me detyrë, që të udhëtojë në Shkup e në Selanik, për t’i paraqitur Komandës Aleate Perëndimore një memorandum në gjuhën frënge, në të cilin shkurtazi shpjegoheshin arsyet historike të luftës së mbrojtjes së popullsisë shqiptare kundër sundimit të huaj dhe të imponuar të Serbisë dhe dëshirën e popullit të Kosovës, për të vendosur vetë, për të qenë pjesë integrale e shtetit shqiptar.

Populli shqiptar asnjëherë nuk e ndjeu veten më të sigurt se në kohën e qeverisë së Rexhep Mitrovicës. U arrit bashkimi kombëtar gjatë luftës së stuhishme botërore. Këtë periudhë, populli e quajti; “Koha e Shqipnisë”. Ambasadori amerikan, pranë qeverisë së Greqisë, në Kajro, në korrik të vitit 1944, shkruan: Qeveria e Rexhep Mitrovicës, është e përbërë prej njerëzve, të cilët në të kaluarën gëzonin respekt në vend dhe disa prej tyre, llogariten si njerëz më të mirë që dolën nga gjiri i Shqipërisë. Shumica prej tyre, nuk njihen si pro-gjermanë të ndezur, e as si fashistë politikë. Disa me të vërtetë, ishin miq të Anglisë e Amerikës. Nuk gabohet nëse thuhet se ata, ishin kundër dominimit italian. Aq sa ndershmëria personale, mund ta kapë, ata janë njerëzit me kualitetet më të larta, prej gjithë atyre qeverive që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sidoqoftë, këta njerëz pranuan sundimin gjerman dhe qëndruan në anën e Gjermanisë. Arsyeja ndoshta ishte se ata, me sinqeritet e përcjellin politikën e Chamberlainit. Ata përpiqen me çdo kusht, që të mbesin neutralë. Shpresojnë për ta bashkuar mbarë kombin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, në një pjesë kompakte, që do të mund të miratohej prej ngadhënjimtarëve kushdo që do të mund të ishin (gjermanët apo aleatët).

‘Gjyqi Special’, veprimtaria nëpër Evropë

Në Gjyqin special që u mbajt në Tiranë, në shkurt-mars 1945, Bahri Omari deklaron: Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku unë mora pjesë, kishte proklamua independencën dhe neutralitetin shqiptar. Këtë fakt, e kishte vërtetua edhe gjenerali aleat, Sër Uilson, në një proklamatë, në të cilën thoshte se pranohet qëndrimi i qeverisë shqiptare, me konditë që kjo të mos u japë ndihmë gjermanëve dhe, në rast se konstatohet vepër bashkëpunimi me gjermanët, atëherë shpallja e neutralitetit, nuk kishte asnjë vleftë. Ne nuk kemi pasur qëllim bashkëpunimi me gjermanët, sepse ne, nuk kemi dashur aspak të jemi bashkëpunëtorë me gjermanët, por ka qenë vetëm një transaksion, qëndrimi ynë kundrejt gjermanëve. Qeveria, në të cilën bëja pjesë unë, nuk i ka dhënë ndihmë gjermanëve. Ne ndaluam që gjermanët, të vinin në qarkullim monedhën e tyre dhe për shumë gjëra, kemi qenë në kundërshtim; derisa në fund dhamë dorëheqje që të gjithë, në maj të vitit 1944. (Arkivi i Rendit, Gjyqi Special, Dëshmi e Bahri Omarit).

Ministri i Financave, Sokrat Dodbiba, gjithashtu theksoi: Qeveria e Rexhep Mitrovicës, nuk ka qenë kuislingë. Ai deklaron se për masakrën e 4 shkurtit 1944, ku u vranë 84 qytetarë e shumë të tjerë u plagosën, nuk ishte fajtor Rexhep Mitrovica e as ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, po ishte vepër e Kadri Cakranit, Xhelal Staraveckës e Irfan Ohrit, që vepronin nën autoritetin gjerman të pushtimit.

Kolë Tromara, gjithashtu ministër në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ndonëse në një presion të jashtëzakonshëm shpirtëror e fizik, nën trysninë çnjerëzore dhe kërcënimin e dënimit kapital, deklaron: Qeveria e Rexhep Mitrovicës, në të cilën unë kam marrë pjesë, ka qenë, sa ishte e mundur, indipendente nën një okupacion, siç ishim ne. Për mua, Qeveria e Rexhep Mitrovicës, nuk ka qenë kuislinge, sepse nuk mendojshim me bë vepra të kundërta me interesin e popullit, aq sa qe e mundun, në kohë okupacioni.

Në gjysmën e nëntorit 1944, grupi i kosovarëve; Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica dhe Rexhep Krasniqi, mori rrugën e mërgimit. Pasi bënë dorëzimin e gjendjes financiare, thesarin e paprekur që gjendej në arkën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më 15 nëntor, u nisën nga Prizreni nëpër Prishtinë, nëpër gjëmimin e bombardimeve dhe sulmeve të tërbuara mbi këtë qytet, u ndalën pak kohë në Mitrovicë për të vazhduar rrugën në drejtim të Kralevës. Nisja u shty deri në orët e vona, për shkak të mungesës së Rexhep Mitrovicës i cili u takua me prijësit e Shalës.

Udhëtuan me automobil personal të Xhafer Devës, e pastaj me aeroplan deri në Zagreb. Atje u mirëpritën nga kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliqi, dhe ministri i Jashtëm kroat, që ishte boshnjak. Këta kosovarë, të cilët qëndruan dy javë në Zagreb, bashkë me disa atdhetarë të tjerë, përkujtuan festën kombëtare të 28 Nëntorit. Në fillim të dhjetorit, pas përpjekjeve e peripecive të mëdha, këta nacionalistë, kaluan alpet slloveno-austriake dhe u vendosën në Vjenë, ku gjendeshin edhe grupe të tjera nacionaliste, me Gjon Marka Gjonin, Nuredin bej Vlorën, Shefqet Vërlacin, Mehdi Frashërin me familje etj.

Shtëpitë ku banonin Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva, u bënë qendra në shërbim të të gjithë emigrantëve shqiptarë. Rexhep Mitrovica, i cili kishte shëndet delikat, u detyrua të shtrohet në sanatoriumin afër qytetit Feldkireh, afër kufirit zviceran. Gjatë periudhës 1945-1947, Xhafer Deva qëndroi në Austrinë perëndimore. Në verë të këtij viti, ai bashkë me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin dhe Ali Dragën, shkuan në Itali. Prej andej e tërhoqën edhe Rexhep Mitrovicën, e përmirësuar. U vendosën në Gjenovë të Italisë dhe pas dy muajsh, me ndihmën e një deputeti turk (me origjinë shqiptare) nga Prizreni, mik personal i Xhafer Devës, i siguruan lejen për të shkuar në Turqi.

Në fund të vitit 1947, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica, emigruan në Siri. Ata vazhdimisht mbanin lidhje me Rexhep Mitrovicën i cili në Ankara, Stamboll e qytete të tjera, ishte i rrethuar nga nderi dhe respekti i shumë atdhetarëve atje. Më 3 dhjetor 1948, në Stamboll, u formua Komiteti Shqiptar. Aty Rexhep Mitrovica takoi Mit´hat Frashërin dhe biseduan për idenë e themelimit të një komiteti nacional, që do të kishte orientim perëndimor dhe mbështetjen e ShBA-së, Anglisë e Francës. Mit´hat Frashëri, kërkoi nga Rexhep Mitrovica që të bënte përpjekje për të rikrijuar gjithashtu një komitet për Kosovën.

Ai kërkoi që të dërgojë në komitetin “Shqipëria e Lirë” dy përfaqësues të Komitetit të Kosovës. Në një letër që i dërgon Luan Gashit, Rexhep Mitrovica ndër të tjera, shkruan: Tue pa gjendjen tonë të vajtueshme për mosveprimin pozitivisht për Kosovën, pata vendos që në këtë moshë, të hyj ndoshta për herë të fundit në aktivitet, në qoftë së do të gjeja ndonjë përkrahje prej ndonjë grupi kosovar. Ardhja e Mid’hatit në Stamboll, ma kishte forcue këtë dëshirë. Kontrollimi i lidhjeve tona politike që kemi pasë me Mid’hatin, me qenë se kemi konstatue të pëlqyeshme, ramë dakord të ringjallim një aktivitet serioz, në dobinë e Shqipnisë etnike, tue krijue një komitet Kosove. Mid’hat Frashëri, kërkonte që ky komitet, të drejtohej prej meje dhe më premtonte të më mbështeste. Pata vendos t’i hyj kësaj valleje, mbasi t’i kem konsultue kosovarët.

Rexhep Mitrovica, bashkëthemelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, mendon se Xhelal Mitrovica dhe Rexhep Krasniqi, dy djem universitarë, së pakti, do të më japin të njëjtën të drejtë, që më kish dhanë edhe Mid’hat Frashëri. Të përpiqemi të gjithë së bashku, t’i bajmë për vete, se janë dy fuqi intelektuale të Kosovës që s’duhet neglizhue, s’duhet lanë të marrin ndonjë udhë tjetër nga ajo jona e aq ma pak të mbeten nën influencën e njerëzve të errët. Mue, vazhdon Rexhep Mitrovica, më takon detyra e plakut, që s’ka ambicie tjetër, përveçse t’i mbledh djemtë në nji vatër. E juve, ju takon ajo e vëllazërimit. Jam në mendimin tuej pra, që të hyni në letërkëmbim me ta, t’i afroni e, kështu të jemi të bashkuem për të mirën e Kosovës!

Shpesh në takimet me atdhetarët në Turqi dhe me të tjerët që vinin për t’u takuar me të, Rexhep Mitrovica shprehej se Shqipëria si shtet ekziston, mirëpo meqë atë e udhëheqin komunistët, nuk do të ketë jetë të gjatë, pra nuk do të jetë i sigurt. Populli nuk do të gëzojë lirinë e mirëqenien, sepse nuk mund të ketë Shqipëri pa Shqipëri etnike. Me argumente, ai e denonconte politikën dritëshkurtër të Enver Hoxhës dhe politikën intrigante të Titos, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Edhe pse ishte i vetëdijshëm për rrezikun e madh të murtajës së kuqe, Rexhep Mitrovica nuk i humbi kurrë shpresat te bashkëkombësit e vet, sidomos te rinia e Kosovës. Jetoi e punoi i qetë, e i prirë për Shqipërinë etnike, deri në çastet e fundit kur mbylli sytë më 1960.

Shtypi i kohës në Shqipëri, në Kosovë dhe Jugosllavi, njoftoi për vdekjen e tij duke përdorur fjalët më denigruese. U quajt: “fashist, tradhtar, kriminel” etj. Sipas kritereve të demokracive perëndimore, nuk është provuar se Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar, kanë qenë kriminelë lufte. Në vendet ku regjimet e tyre shquhen për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata janë kriminelë lufte, përkrahës të fashizmit etj., atëherë asnjërit, nuk do t’u lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të Botës. /Memorie.al/

Të ngjajshme

Të fundit