-2.2 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Jeta, ky rrugëtim i vështirë, që na bart prej ëndrrës në ëndërr

Shkruan: Naser Jashari
Jeta, ky rrugëtim i vështirë, që na bart prej ëndrrës në ëndërr. I rritur nga një arsmitar, që bisedat për mirësitë dhe se sa i duhen shoqërisë të arsimuarit kanë përbërë pjesën më të madhe të bisedave tona familjare.
I përkdhelur me këto ideale, me shpresën që një ditë të japim dijen tonë që të çojmë në vendin e dëshiruar stafetën e të parëve, iu përvesha edukimit. Këta ideale më kanë mbajtur gjallë, edhe atëherë kur rroga e arsimtarit, nuk plotësonte nevojat e një familje fshati, e lëre më nevojat e një studenti që kishte bërë dhjetëra kilometra për këtë ëndërr fëmijërore.
Duke bredhur prej vështirësie në vështirësi, një ditë këtë ëndërr e preka, e për më tepër, fillova ta “materializoj”, duke u punësuar si pedagog pranë shkollës së fshatit. Mirëpo, idealizmi prej studenti fashitej aq më shumë që kalonin ditë pune, probleme të llojit mesjetar, shto kësaj që nuk ke sigurinë qoftë sociale, qoftë shëndetësore. E, sa keq kishte vajtur puna, janë fjalët e babait: “ik, biri im, rregullo jetën e fëmijëve tu, e ma ban hallall që të ushqeva me këto ideale”.
E di që këto janë fjalë të dalura pa dëshirë, po, ky është realiteti ku po jetojmë që na i zhbëri edhe idealet. Prandaj, po iki me dhimbjen në zemër, drejt një vendi të huaj, për të ardhmen e fëmijëve, të mos kenë fatin e babait. Lamtumirë toka ime, që s’mu bëre e imja, megjithatë, zemrën këtu po e lë, trupin me vete po e marr.
Trupi pa zemrën s’e ecën dot!
#FaliminderitKoleg
#FaliminderitNxënës
Mbi të gjitha
#Faliminderit #Fshati #im
Ps: Naser Jashari tani disa muaj jeton dhe vepron në Peruxha të Italisë. Ai për disa vite punoi si pedagog në shkollën fillore Liria të Jabollçishtit.

Të ngjajshme

Të fundit