0.8 C
Skopje
E shtunë, 20 Dhjetor, 2025

Ka shënuar rritje shporta konsumatore për muajin dhjetor

Kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut po vazhdon trendin rritës, duke rënduar edhe më shumë buxhetin e familjeve. Sipas llogaritjeve më të fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, vlera e shportës minimale sindikale për muajin dhjetor ka arritur në 65.492 denarë.

Kjo shifër shënon një rritje prej 319 denarësh krahasuar me muajin nëntor, kur e njëjta shportë kushtonte 65.173 denarë. Situata bëhet edhe më alarmante për familjet që nuk posedojnë banesë, nëse llogaritet qiraja për një banesë prej 60 metrash katrorë, shuma e nevojshme për të mbijetuar muajin rritet në 80.867 denarë.

Analiza e strukturës së shpenzimeve konfirmon se pjesa dërrmuese e buxhetit familjar shkon për nevojat bazike. Ushqimi dhe pijet mbetet pjesa më e vështirë financiare me shpenzime prej 23.640 denarë. Për arsim shpenzohen 7.159 denarë, ndërsa për shpenzime komunale përfshirë ujin, energjinë elektrike, ngrohjen dhe mirëmbajtjen e ndërtesës janë të nevojshme 6.130 denarë. Për veshmbathje kërkohen 5.875 denarë, për transport 4.636 denarë, ndërsa për higjienë personale dhe shtëpiake 2.620 denarë. Pjesa tjetër e mjeteve shpërndahet për komunikime, hoteleri dhe restorante.

Ushqim dhe pije: 23.640 denarë

Arsim: 7.159 denarë

Shërbime komunale (ujë, drita, ngrohje): 6.130 denarë

Veshje dhe mbathje: 5.875 denarë

Transport: 4.636 denarë

Higjienë (personale dhe shtëpiake): 2.620 denarë

Përballë këtyre shifrave, sipas LSM-së, pushteti ekzekutiv ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e matjes së shpenzimeve. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, bëri të ditur se nga 1 janari, paralelisht me sindikatat, edhe Qeveria do të hartojë llogaritjen e saj për shportën mesatare të konsumit për një familje katëranëtarëshe.Detajet e kësaj metodologjie të re pritet të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ekonomiko-Social, e cila është caktuar të mbahet të hënën, më 22 dhjetor./ALsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit