Karateistja nga Kosova, Fortesa Orana ka dhënë një intervistë për POPULLI.mk ku ka folur për ecurinë e saj, medalet e fituara, synimet e shumë gjëra të tjera.
Për më shumë lexoni intervistën e plotë:
POPULLI.mk: Çfarë të frymëzon të qëndrosh në karate dhe të punosh drejt sukseseve tjera?
FORTESA: E dua ketë sport që në moshë të re. Karateja më bën të ndjehem vetvetja dhe më mban në jetë. Qëllimi im kryesor është të jem kampione e Evropës.
POPULLI.mk: Cilat janë momentet më të rëndësishme dhe emocionuese në karrierën tënde deri tani?
FORTESA: Momenti më I rëndësishëm dhe emocionues deri sot është kur e kam fituar medalen historike për mua, vendin e tretë në botë. Ka qenë një moment dhe emocion i jashtëzakonshëm.
POPULLI.mk: I keni të fituara mbi 400 medale dhe po e përfaqësoni Kosovën në gara botërore më së miri. Çfarë ndjen kur e bartë mbi shpinë shtetin, vendin tënd atje ku bashkohen shumë kultura?
FORTESA: Është krenari e madhe ta përfaqësosh vendin tënd kudo në botë. Jam krenare që jam shqiptare.
POPULLI.mk: Cilat janë medalet më të rëndësishme që ke fituar dhe si ndikuan ato në jetën dhe motivimin tënd?
FORTESA: Medalet më të rëndësishme që i kam fituar janë; kampione e Ballkanit, tre herë e bronztë, medalja e bronztë në Kampionati Botëror, në “Paris Open” vendi i dytë, kam dalë fituese e shumë turneve “Open” dhe tre herë e 5-ta në Evropë dhe tani jam shumë afër medaljes evropiane.
POPULLI.mk: Si e menaxhon kohën mes ushtrimeve dhe jetës personale gjatë kësaj karriere të suksesshme?
FORTESA: Normalisht vetëm ushtroj dy herë në ditë. Pushoj mirë dhe ushtroj shumë. Kam kontroll mbi ushqimin e mire dhe vikendet i kaloj me familjarët.
POPULLI.mk: Cilat janë synimet e tua për të ardhmen në botën e karates?
FORTESA: Synimet e mija janë; medalja e artë evropiane dhe Kampionati Botëror.
POPULLI.mk: Si i ke zhvilluar aftësitë dhe strategjitë tua në rrugën drejt fitoreve?
FORTESA: Aftësitë e mija janë zhvilluar falë trajnerëve të mi, Afrim Latifi dhe Fehmi Mahalla e gjithashtu edhe në disa kampe të ndryshme.
POPULLI.mk: Çfarë sfidash dhe vështirësish keni hasur në karrierë dhe si i ke kaluar ato?
FORTESA: Kam hasur në pengesa të shumta. Mos pjesëmarrja në kampionate evropiane. Disa herë na kanë ndaluar në gara vetëm për shkak që nuk na kanë pranuar simbolet dhe shtetin e Kosovës. Por kjo nuk na ka demotivuar përkundrazi ne kemi vazhduar përpara drejt sukseseve.
POPULLI.mk: Cilat janë vlerat dhe cilësitë që ju kanë ndihmuar më së shumti në karrierën tënde në karate?
FORTESA: Dy gjërat që unë do t’i veçoja janë durimi që unë e kam si cilësi e poashtu edhe besimi në vetvete.
POPULLI.mk: Si mund të kontribuojë për ju suksesi dhe përparimi te sporti i karatesë në të ardhmen?
FORTESA: Për çdo sukses ndërkombëtar që unë e arrij e fitoj një shpërblim. Kjo është ajo që ta bën jetën më të lehtë si tani por edhe në të ardhmen besoj.
POPULLI.mk: Një mesazh motivues për të rinjtë?
FORTESA: Mesazhi im për të rinjtë është që mos të ndalen asnjëherë në jetë. Kur e synon diçka medoemos do ta arrish një ditë. Pas çdo vështirësie do të vjen edhe lehtësimi. Me durim dhe me besim duke mos u ndalur asnjë ditë por vetëm duke punuar.
© POPULLI.mk
