Kandidati i AKI-së për kryetar në komunën e Bërvenicës, Enver Pajaziti, paralajmëron qendër të re për rekreacion për të rinjtë dhe se do të fokusohet tek Ndërmarrja Publike, te administrata komunale dhe t’i përfundojë projektet infrastrukturore.
“Komuna e Bërvenicës ka njerëz të vyeshëm, ka bujq të mirë, ka diasporë të fortë, ka rini të shëndoshë prandaj do të investojmë në rini në sport dhe kulturë, ju premtoj se projektet e filluara do të përfundohen. Po ashtu do të ndërtojmë qendër rekreative sportive te parku i lumit Vardar që të shërbejë për të rinjtë dhe të gjitha moshat”, tha Enver Pajaziti – Kandidat i AKI për komunën e Bërvenicës.
Kandidati i VLEN-it në Bërvenicë, Haqim Ramadani, thotë se qytetarët janë të lodhur nga premtimet e mëdha dhe fjalët e kota për gjërat elementare sikurse ujësjellësi, kanalizimi apo rrugë të asfaltuara. Është koha për punë të vërtetë dhe rezultate që shihen thotë Ramadani.
“Por unë dua të shkoj edhe më tej, të krijojmë mundësi pune për rininë që të mos largohen, të sjellim shërbime të thjeshta e digjitale për qytetarët dhe mërgimtarët tanë. Të mbështesim bujqit, bizneset, shkollat dhe sportin. Të zhvillojmë infrastrukturë që sjellë jetë dhe gjallëri në çdo fshat dhe lagje”, tha Haqim Ramadani – Kandidat i VLEN për kryetar të Bërvenicës./Alsat.mk
