28.8 C
Skopje
E hënë, 24 Gusht, 2026

Katër muaj heshtje për MEPSO-n, BDI kërkon hetim për dëmin prej 19,3 milionë eurosh

Nga BDI opozitare kanë reaguar ndaj drejtorit të MEPSO-s, ku siç pretedojnë nga atje, drejtori i MEPSO-s nga rradhët e VLEN-it, ka shkaktuar dëm prej 19,3 milion euro, shkruan Portalb.mk.

Nga atje thonë se kanë kaluar pothuajse katër muaj që kur Bashkimi Demokratik për Integrim ngriti publikisht alarmin për rastin në MEPSO dhe kërkoi përgjegjësi nga drejtori Burim Latifi. Katër muaj më vonë, qytetarët ende nuk kanë marrë përgjigje të plota për vendimet që e kanë futur ndërmarrjen strategjike shtetërore në një kontest ndërkombëtar me pasoja potencialisht milionëshe.

“Faktet e bëra publike janë serioze. Në procedurën paraarbitrale para DAB-it, MEPSO humbi rastin në një shumë prej rreth 19,3 milionë eurosh, ndërsa vendimi ishte në favor të kompanisë paraprake “Energoinvest”. Tani çështja po zhvendoset në arbitrazh, ku ndërmarrja shtetërore duhet të mbrojë pozitat dhe pretendimet e saj pas një rezultati të pafavorshëm në fazën paraprake. Në të njëjtën kohë, MEPSO ka lidhur kontratë të re me miliona euro me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, pjesë e të cilit janë “Kodar Energomontaža” nga Beogradi dhe “Elnos BL” nga Banja Luka. Pikërisht për këtë të fundit në opinion janë ngritur akuza për afërsi me qarqe të lidhura me Milorad Dodikun”, shkruan në kumtesën e BDI-së.

Nga BDI thonë se pyesin publikush se pse VLEN-i po lejon që edhe një segment strategjik i sektorit energjetik të lidhet me kompani nga Serbia dhe Republika Serpska, ndërkohë që qytetarët përballen me pasojat financiare të vendimeve të drejtuesve të tyre? Kush mori vendim për ndërprerjen e kontratës paraprake, kush e vlerësoi rrezikun juridik dhe financiar dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse shteti pëson dëme të tjera në arbitrazh?

“Por sot pyetja nuk është vetëm për Burim Latifin. Ku është Prokuroria Publike dhe ku është Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit? Katër muaj më parë kërkuam publikisht që institucionet kompetente ta hetojnë rastin. Opinioni ka të drejtë të dijë: a është hapur lëndë, cilat veprime janë ndërmarrë dhe a po hetohen kontratat, vendimet dhe përgjegjësia eventuale për dëmin financiar?”, pyesin më tej nga BDI.

Ata kanë shtuar se Burim Latifi mund të zgjedhë heshtjen, por 19,3 milionë euro kundërkërkesa të rrëzuara në fazën paraarbitrale dhe një kontratë e re milionëshe me një konsorcium ku marrin pjesë kompani nga Beogradi dhe Banja Luka nuk mund të kalojnë në heshtje.

“BDI kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe përgjigje konkrete. Katër muaj heshtje janë shumë. Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush i mori këto vendime, pse i mori dhe kush do të përgjigjet për pasojat”, shtuan nga BDI.

Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) edhe më parë ka reaguar ndaj ndërmarrjes shtetërore MEPSO dhe drejtorit të saj, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe dëmin e mundshëm financiar ndaj shtetit. Sipas BDI-së, drejtori Burim Latifi dhe MEPSO kanë lidhur dy kontrata brenda të njëjtës ditë me kompaninë “Elnos BL” nga Republika Srpska, duke thelluar bashkëpunimin me këtë subjekt. BDI vlerëson se kjo situatë hap dilema serioze mbi procedurat dhe mënyrën e realizimit të këtyre marrëveshjeve.

Por, Latifi ka sqaruar gjatë një brifingu me gazetarët se, operatori shtetëror i sistemit elektrotransmetues, SH.A.  MEPSO, do të hyjë në një betejë arbitrazhi me kompaninë boshnjake “Energoinvest”, pasi në procedurën para-arbitrazhit të zhvilluar para DAB-it (Dispute Adjudication Board) u vendos se kompania nga Maqedonia duhet t’i paguajë kontraktorit 6 milionë euro për shkak të ndërprerjes së njëanshme të kontratës për ndërtimin e largpërçuesit 400 kilovatësh nga Manastiri deri në kufirin maqedono-shqiptar.

Ndërkohë pas raportit të Entit Shtetëror për Revizion (ESHR), ku konstatuan se edhe pse shërbimet kompetente në vazhdimësi ndërmarrin aktivitete për harmonizimin e veprimtarisë së shoqërisë me aktet pozitive ligjorë, janë konstatuar dobësi në evidencën dhe rregullimin e pronësisë së infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, përfshirë edhe tokën. Një pjesë e pronës nuk ka status juridik të rregulluar, ndërsa për një pjesë tjetër nuk ekziston evidencë e saktë kontabël. Rrjeti transmetues i SHA MEPSO Shkup përfshin 112 linja të transmetimit, ku për 53 prej tyre e drejta e pronësisë është regjistruar në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, ndërsa për 59 linja të transmetimit shoqëria nuk disponon me fletëpronësi. Me revizionin e kryer, thuhet në raport, “konstatuam edhe gjendje të tjera që lidhen me inventarizimin e kryer, mjetet e nxjerra jashtë përdorimit, vjedhjen e raportuar, realizimin e Programit Vjetor të Investimeve, mënyrën e financimit të organizatave sindikale pranë SHA MEPSO Shkup, llogaridhënien e personave të angazhuar përmes kontratave autoriale, mënyrën e ndarjes së sponsorizimeve dhe donacioneve dhe çështje të tjera që ndikojnë në funksionimin e shoqërisë”.

Ndërkohë nga MEPSO atë kohë deklaruan se kanë ndërmarrë aktivitete për adresimin e dobësive të evidentuara, të cilat, sipas kompanisë, janë trashëguar nga menaxhmentet e mëparshme dhe datojnë prej vitesh. Sipas MEPSO-s, një pjesë e madhe e problemeve me pronësinë e linjave të transmetimit dhe nënstacioneve lidhen me ndarjen e ish-Elektroekonomisë së Maqedonisë dhe procedurat komplekse për rregullimin e statusit juridik të infrastrukturës energjetike.