Kërcënimet me bomba sërish u rikthyen në shkollat e vendit. Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se sot në emailet zyrtare të disa institucioneve arsimore në Shkup dhe qytete të tjera të vendit janë marrë njoftime për vendosjen e mjeteve shpërthyese. Pas këtyre raportimeve MPB-ja ka ndërmarrë të gjitha masat ndërsa nga kontrollet e kryera rezulton se bëhet fjalë për njoftime rreme. Gjithashtu, MPB-ja bën thirrje për qetësi dhe shmangien e përhapjes së dezinformatave për ngjarje të tilla, të cilat gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndër shkollat që pranuan paralajmërime për bomba janë ato të komunave Qendër, Gazi Babë, Butel dhe Aerodrom. /Alsat.mk
Ministria për Punë të Brendshme informon se pas raportimeve të shumta të marra për mjete shpërthyese në disa shkolla fillore dhe të mesme pothuajse në të gjithë territorin e vendit, shërbimet kompetente të MPB-së janë duke ndërmarrë masa dhe aktivitete të planifikimit gjithëpërfshirës në përputhje me procedurat e brendshme për përballimin e kërcënimeve terroriste.
Nga MPB thonë se pas masave që kanë ndërmarrë, kanë konstatuar se bëhet fjalë për raportime të rrejshme.
“Paralelisht me këtë, vlerësimi i nivelit të kërcënimit po bëhet në koordinim të ndërsjellë të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, përmes një shtabi operativ të krijuar në kuadër të Ministrisë. Sipas aktiviteteve të deritanishme, nga kontrollet rezulton se bëhet fjalë për raportime të rreme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në të njëjtën kohë, MPB bën thirrje dhe apel për qetësi në opinion dhe shmangie nga përhapja e dezinformatave për ngjarje të tilla, të cilat gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe në vende të tjera të rajonit”, thonë nga MPB.