KF Shkëndija ka arritur suksesin më të madh historik në arenën ndërkombëtare, duke eliminuar gjigantin rumun FC Steaua Bukuresht (FCSB) me rezultat përfundimtar 1:2 në Bukuresht dhe 1:3 në total të dyja ndeshjet, informon POPULLI.mk
Në një ndeshje mbresëlënëse të zhvilluar në stadiumin “Stadionul Steaua” në kryeqytetin rumun, futbollistët ‘kuqezinj’ treguan karakter, disiplinë taktike dhe një lojë të pjekur, duke u konfirmuar si një forcë serioze në futbollin ballkanik.
Steaua kaloi në epërsi në minutën e 28-të me golin e J. Cisotti, por Shkëndija reagoi shpejt, duke barazuar me Liridon Latifin në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, V.Krstevski vulosi rezultatin në 1:2, duke siguruar kualifikimin historik për klubin tetovar.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1:1, ndërsa në pjesën e dytë Shkëndija dominoi duke shënuar golin vendimtar për fitoren e madhe.
Tashmë, në raundin tjetër të kualifikimeve evropiane, Shkëndija do të përballet me klubin azerbajxhanas Qarabag FK, një tjetër sfidë e madhe për ekipin shqiptar të Tetovës. / © POPULLI.mk