Mbrëmjen e sontme, në një tubim të zjarrtë dhe plot emocion në Klinë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e cilësoi këtë qytet si epiqendrën e një “tërmeti politik” në fushatën e ringritjes së të djathtës, shkruan POPULLI.mk
“Klina na priti si një festë e madhe – një festë e ringritjes së LDK-së drejt ndryshimit të madh”, u shpreh Abdixhiku, duke theksuar entuziazmin e qytetarëve për një Kosovë më të fortë dhe të drejtë.
Në fjalimin e tij, kryetari i LDK-së lavdëroi traditën dhe krenarinë kombëtare të Klinës, duke thënë se populli i këtij qyteti ka treguar gatishmëri për të prijë në kryengritjen e madhe të djathtë. “Sonte, në zemrën e lashtësisë dardane, ndjemë fuqinë e një populli që është ngritur në këmbë për ndryshim”, deklaroi ai.
Abdixhiku e përshkroi 9 shkurtin, datën e zgjedhjeve, si një moment vendimtar për fillimin e një epoke të re për Republikën e Kosovës. Ai theksoi se LDK-ja nuk synon ndarje apo përçarje, por bashkim, vizion dhe shpresë për ndërtimin e një Kosove të barabartë për të gjithë.
“Protestat dhe ndasitë nuk janë përgjigjja jonë. Ne jemi këtu për të bashkuar popullin, për të ofruar zgjidhje dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, tha ai, duke shtuar se fryma e re që po përjeton LDK-ja është një dritare e hapur drejt shpresës dhe ndryshimit.
Në përfundim të tubimit, Abdixhiku theksoi se qytetarët e Klinës po dëshmojnë se bashkimi i të djathtës është një realitet i prekshëm. “9 shkurti po afrohet, ndryshimi po vjen!” përfundoi ai me entuziazëm. / © POPULLI.mk