38.8 C
Skopje
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Komandant Hoxha: Teli u tradhtua, mua mu bë ate’ntat! Sot për UÇK-në festojnë ata që nuk luf’tuan

Një pjesë e parrëfyer e historisë deri tani: Haraçina – UÇK 2001

Në shtabet e UÇK-së u mor vendim që të futemi në Haraqinë për ta përshpejtuar procesin e bisedimeve përmes krijimit të një presioni te pala qeveritare.

Shkruan Xhezair Shaqiri – Komandant Hoxha

U njoftuan disa komandantë për të hyrë në Haraçinë, por pas disa analizave nga individë të UÇK-së, u vlerësua se terreni ishte shumë i vështirë për të rezistuar, pasi ishte në dyert e kryeqytetit. Për këtë arsye nuk morën përgjegjësinë. Xhavit Hasani, Dan Lima, Harun Aliu dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk dua t’i përmend për momentin.

Në fund, më propozuan mua me këto fjalë:

“Hoxhë, ushtarët të duan dhe kanë besim në ty. E dimë që je i lodhur që prej para fillimit të vitit 2001, por duhet ti të futesh në Haraqinë. A pranon?”

Unë pranova, edhe pse e dija se do të ishte një betejë shumë e ashpër dhe e pabarabartë.

U nisëm në mbrëmje nga fshati Hotel me mbi 60 ushtarë të UÇK-së me armatim të lehtë, drejt bazës së UÇK-së te Manastiri mbi fshatin Mateç. Me të mbërritur në Manastir, u ndamë anash me komandantin Telin dhe diskutuam në hollësi. Vendosëm që Teli, Arbeni dhe disa vëzhgues të futen në Haraqinë për të vëzhguar terrenin që të mos biem në ndonjë kurth rrugës.

Pritëm dy ditë derisa Teli dhe Arbeni erdhën te vendi i quajtur Vllajgrob. U takuam dhe më shpjeguan në detaje rrugën. Po atë natë u nisëm për në Haraçinë dhe rreth mesnate arritëm te lagjja e Kamenjanit, te Ragmiu. Po atë natë u vendosëm në shtëpinë e Xhezmi Sulejmanit. Disa ushtarë, bashkë me komandantin Telin, i urdhërova të shkojnë te shtëpitë e Hajdinëve nga Tanusha që të jenë të gatshëm për ndonjë befasi derisa të organizohemi.

Të nesërmen, pasi falë namazin e sabahut, më lajmëroi Teli dhe më raportoi se popullata po largohej masivisht. Më pyeti: “A t’i ndalim?” U befasova: Si na morën vesh? Sepse ne kishim plan të strukturohemi në heshtje së paku për dy javë. I thashë: “Lëshoji” – pala qeveritare e kishte kuptuar çfarë po ndodh, dhe menjëherë po atë ditë vendosën postblloqe te Ekonomia në Hasanbeg.

Nuk na mbeti shumë kohë për organizim. Me ngut filluam t’i emërojmë komandantët e skuadrave, togezët, komandantët e kompanive dhe batalionit, si dhe të caktojmë pozicionet dhe llojin e armatimit. Çdo ditë na paraqiteshin vullnetarë, dhe ky entuziazëm i rinisë më jepte kurajo për të vazhduar.

Veçanërisht më dhanë guxim disa djem të guximshëm nga Shkupi, të cilët nuk i njihja më parë, por më bindën se ishin të pjekur dhe të vendosur. Ata ishin Capi, Goza, Dibeki, Ibra dhe dhjetëra të tjerë. Më vjen keq që nuk do mund t’i përmend të gjithë me emra, se do humbte kuptimi i këtij shkrimi.

Kisha disa persona që dëshiroja t’i emëroja komandantë batalioni, por refuzuan. Vetëm komanda Braha pranoi postin e komandantit të batalionit.

Shkurt, për disa ditë kishim mbi 200 ushtarë me armatim të lehtë. Të premten, herët në mëngjes, më merr në telefon komandanti Teli dhe më tregon se një helikopter po fluturonte mbi Haraqinë dhe lëshoi një mjet që nuk eksplodoi – ishte gaz për të na paralizuar. Pas disa minutash, filluam të ndiejmë djegie të madhe në sy. Për mrekulli, nuk kaluan shumë minuta dhe Allahu lëshoi një erë që e shpërndau gazin.

Nga rruga e Nagushtakut filloi sulmi i parë, para agimit. Sulmi ishte i fuqishëm, dhe dhashë urdhër që Teli të shkojë në përforcim me njësitin e tij. Derisa zhvillohej beteja pas shpinës tonë, pala maqedonase nisi një sulm të furishëm nga rruga e Shkupit.

Situata filloi të lëkundet. Përsëri kërkova nga komandanti Teli të shkojë në përforcim në drejtim të Shkupit, por ai më tha se ende ishte duke luftuar afër, me tanke dhe autoblinda.

Nuk kaluan shumë minuta, dhe Arbeni me Telin erdhën në shtab. Arbeni kishte marrë disa plagë, por më thanë se forcat maqedonase u tërhoqën. Menjëherë komandanti Teli, me shokët dhe gjithë ushtarët e UÇK-së, i zmbrapsën forcat speciale të ushtrisë dhe policisë maqedonase.

Ka pasur edhe disa sulme atë ditë, por janë zmbrapsur nga djemtë e UÇK-së.

Po atë ditë, ministri Lube kishte shpresuar që të nesërmen të pinte kafe në mes të Haraçinës. Por djemtë e UÇK-së nuk ia mundësuan ta pinte atë kafe – iu bë kafeja e hidhur. Deri më sot nuk ka mundur ta pijë.

Të nesërmen, ditë e shtunë, komandanti Sokoli dërgoi disa ushtarë të fortë me armatim, dhe beteja vazhdoi deri në fitore. UÇK-ja me mbi 200 ushtarë, përballë gjithë gjeneralëve të ushtrisë dhe policisë maqedonase – dhe fitorja u arrit falë guximit të pashoq të Batalionit të Vdekjes të UÇK-së, të cilët pranuan të futen në një pozicion të rrethuar nga katër anët, ndërsa mbi kokë na fluturonin avionët Suhoj dhe helikopterët.

Pas betejës së Haraçinës, komandanti Teli u tradhtua nga faqezinj të cilët Allahu i mallkoftë me familje. Disa javë më vonë më bënë atentat edhe mua, nga ata që nuk kishin guxim të luftonin përballë armikut, dhe që nuk kishin si të lavdëroheshin sa kohë komandanti Teli ishte gjallë.

Sot festohen betejat e UÇK-së nga ata që e tradhtuan komandantin Telin dhe komandantin Hoxha – dhe nuk përmendet as Teli, as Hoxha.

Çfarë të them tjetër: sot lavdërohen tradhtarët e respektohen, ndërsa ish-ushtarët e betejave lihen anash në harresë.

Më falni, shokë të luftës, që nuk pata mundësi t’ju përmend të gjithëve me emra. Vetëm desha të përmend disa të pathëna, disa të vërteta të hidhura të historisë.

Spiunët dhe tradhtarët me miliona, ndërsa djemtë e dëshmorëve dhe ish-ushtarët e UÇK-së mezi mbijetojnë.

UÇK – UÇK – UÇK

Ju që jeni të përfshirë në tradhtinë ndaj Telit, e dini shumë mirë se i dimë gjërat.

Të ngjajshme

Të fundit