Masakra e Gazi Babës, e njohur ndryshe si “Tradhëtia e Madhe”, mbetet ende një enigmë e pazbardhur, edhe pas 24 vitesh nga nata tragjike e 7 gushtit 2001.
Shkruan POPULLI.mk
Në atë mesnatë, forcat speciale maqedonase ekzekutuan në pritë, brenda një shtëpie në lagjen Gazi Babë të Shkupit, komandantin e UÇK-së Lefter Koxhaj, i njohur me nofkën Komandant TELI, së bashku me pesë bashkëluftëtarë të tij.
Ngjarja ndodhi vetëm tre ditë pas shpalljes së armëpushimit ndërmjet UÇK-së dhe forcave maqedonase të sigurisë, duke ngritur dyshime të shumta për shkelje të qëllimshme të marrëveshjes dhe për motive të fshehta pas atentatit.
Sipas dëshmive të kohës, zona ku ndodheshin luftëtarët shqiptarë ishte rrethuar nga forca të mëdha speciale, ndërsa detajet e operacionit dhe mënyra e saktë e vrasjes mbeten të paqarta edhe sot.
Përveç Komandant Telit, i cili ishte 32 vjeç, u vranë edhe:
Arben Bajrami, 24 vjeç, nga Shkupi,
Ndriçim Koxhaj, 30 vjeç, nga Librazhdi,
Abaz Beqiri, 42 vjeç, nga Maqedonia,
dhe Pajtim Roçi, vetëm 21 vjeç.
Komandant Teli ishte i njohur për guximin dhe rebelizmin e tij në radhët e UÇK-së. Në shumë beteja ishte konsideruar si “tmerri i ushtrisë maqedonase”, për shkak të mënyrës së luftimit dhe vendosmërisë në vijën e frontit.
Masakra e Gazi Babës ndodhi në një moment kritik për zhvillimet politike: vetëm tre ditë pas armëpushimit të 4 gushtit dhe gjashtë ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që do të shënonte fundin e konfliktit të armatosur në Maqedoni.
Vrasja e tyre, e kryer ndërsa flinin gjumë, mbetet një njollë e rëndë në kujtesën historike të konfliktit dhe një plagë e hapur për familjarët dhe bashkëluftëtarët. / © POPULLI.mk